Anxhelo Koçi dhe Egli Tako kanë sjellë vetëm disa ditë më parë bashkëpunimin e tyre “Nëse t’kujtohem”, që po korr mjaft sukses dhe ka hyrë në klasifikimin e “The Top List” këtë javë. Anxhelo ka qenë mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up” për të na folur më shumë për këtë këngë, por dhe për projektet e tij të ardhshme…
Si po ecën kënga, çfarë impakti ke marrë?
Bashkëpunimi ka ecur shumë mirë. Mori një vrull të madh ato ditët e para, nuk ma priste mendje sepse duke qenë se nuk ka shumë prodhimtari, nuk ka as shumë dëgjues. Ka dalë një projekt i suksesshëm, uroj të ecë akoma dhe më shumë. Njerëzit e kanë pëlqyer.
Kujt i lindi ideja për një bashkëpunim?
Egli më ka telefonuar pas “Big Brother” për t’i bërë një këngë, një kompozim dhe aty i lindi ideja e një bashkëpunimi. E pranova me kënaqësi. Nuk humba kohë, direkt në studio, bëmë tekstin, melodinë. Dhe ja ku doli kënga. Kemi një kimi të paparë me Eglin. E respektojmë shumë njëri-tjetrin. Kështu doli dhe kënga.
Mund të ketë një tjetër bashkëpunim mes jush?
Mendoj se po. Duke parë edhe këngën që na doli kaq e suksesshme, besoj se do të kemi dhe një këngë tjetër. Por pas dhjetorit, të kalojë dhe ky vit.
Sa e vështirë ishte të xhiroje klipin për “Nëse t’kujtohem”?
Për mua si djalë nuk është shumë e vështirë, se ne bëjmë atë make up dhe fillojmë skenat, nuk është shumë e vështirë të xhirojmë. Për artistet femra do pak më shumë punë. Kemi nisur në 10 të darkës, sepse pritëm njerëzit që ishin në rrugë, dhe kemi mbaruar në 6 të mëngjesit. E kemi mbaruar brenda natës. Unë disa skena i kisha bërë një ditë para, tek një stacion autobusi.
Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.







