Anxhelo Koçi dhe Egli Tako kanë sjellë vetëm disa ditë më parë bashkëpunimin e tyre “Nëse t’kujtohem”, që po korr mjaft sukses dhe ka hyrë në klasifikimin e “The Top List” këtë javë. Anxhelo ka qenë mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up” për të na folur më shumë për këtë këngë, por dhe për projektet e tij të ardhshme…
Ti i shkruan vetë tekstet e tua?
Në përgjithësi unë i shkruaj vetë. Në fillimet e karrierës sime kisha ndihmë nga miq të mitë dhe tekstshkrues shumë të mirë, si Endrit Mumajesi dhe Petro Xhori, por tani i shkruaj vetë. Në këtë këngë ka qenë dhe Egli bashkëpunuese, sidomos në strofën e saj.
Çfarë të shtyn ty të gjesh frymëzimin, tani që jemi edhe në një kohë konsumizmi?
Patjetër që është bërë e vështirë që të bësh diçka që ta pëlqejnë njerëzit. Më është dashur shumë këto dy vite që të rimarr veten dhe të filloj në një nivel tjetër të muzikës, sepse muzika po bëhet e shpejtë. Jam dëgjues i mirë në Spotify, frymëzohem nga këngë dhe marr ide. Jam praktikuar, në studio e kuptoj kur është vibe i bukur dhe duhet ta bëj si këngë.
A ke një muzë frymëzimi?
Për mua është e lehtë sepse nuk bazohem vetëm tek vetja, marr dhe histori të ndryshme të të tjerëve.
Ka diçka që ende nuk e kë bërë dhe do ta bësh në të ardhmen?
Ajo që unë nuk kam bërë është një album, edhe pas gjithë këtyre viteve karrierë, për arsye se dua që të bëj diçka të bukur dhe ta zgjedh atë që do bëj. Mendoj për një mini album, një EP, deri nga dhjetori, shpresoj t’ia dal. Do të ketë edhe bashkëpunime, emrat nuk po i them.
Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.







