Rekonstruim teknik apo më i gjerë i Qeverisë – gjithçka varet nga zgjedhjet lokale

featured
Press Online
27 Gusht 2025, 09:33

Rekonstruimi i Qeverisë mbetet temë e hapur dhe ende e paqartë, ndërsa dilema është nëse do të bëhet një ndryshim teknik paszgjedhor apo do të ketë përfshirje më të gjerë. Nga “Ilindenska” tashmë prej një kohe paralajmërojnë rekonstruim, por pa sqaruar nëse ai do të nënkuptojë vetëm zëvendësimin e ministrave që eventualisht do të fitojnë si kryetarë komunash, përcjell PressOnline.al.

Tashmë dihet se dy ministra të kabinetit të kryeministrit Hristijan Mickoski – Izет Mexhiti dhe Fatmir Limani – janë pjesë e garës për zgjedhjet lokale. Mexhiti sot për mediat deklaroi se prioritet i tij mbetet fushata për kryetar komune, ndërsa për çështjen e rekonstruimit tha se gjithçka do të vendoset në marrëveshje me partnerët e koalicionit.

Kryeministri Mickoski gjithashtu ka konfirmuar se pritet një rekonstruim, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pohoi se nuk ka informata nëse ai do të jetë më i gjerë, pasi si kryeparlamentar nuk merr pjesë në takimet ndërpartiake të koalicionit. Mickoski theksoi se Mexhiti dhe Limani do të vazhdojnë të funksionojnë si ministra deri në dorëheqjet eventuale, edhe pse paralelisht janë kandidatë për kryetarë komunash. Në pyetjen nëse kjo është etike, ai tha se nuk është e paligjshme dhe ka pasur raste të ngjashme edhe në të kaluarën.

Ndërkohë, partnerët e koalicionit ende po matin rejtingjet për disa kandidatura, veçanërisht në komunat ku ende nuk janë shpallur emrat. Deri më tani nuk është caktuar kandidat për komunën e Koçanit dhe as për Komunën Qendër, ku pritet marrëveshje me partinë ZNAM.

Megjithëse shumica parlamentare konsiderohet stabile, mbetet problem zbatimi i parimit të Badenterit, nga i cili varen disa ligje të bllokuara në Kuvend, përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Për këtë çështje, Mexhiti deklaroi se nëse ekziston vullnet politik, mund të arrihet marrëveshje për zhbllokimin e këtyre proceseve. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter