Koalicioni VLEN është në fazën përfundimtare të analizave dhe matjeve të opinionit publik për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë. Sipas paralajmërimeve, brenda muajit korrik pritet të bëhen publike emrat përfundimtarë të garuesve nëpër komuna.
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh një nga liderët kryesorë të VLEN-it, Izet Mexhiti, nuk përjashton mundësinë që ai vetë të kandidojë për kryetar të Komunës së Çairit.
“Po analizojmë terrenin dhe dëshirojmë që të gjejmë zgjidhje më të mirë dhe në bazë të kësaj do të veprojmë. BDI dëshiron për Çairin ta kandidojë Bujar Osmanin dhe është e qartë se kandidat tjetër nuk është në lojë, ndërsa për ne është e rëndësishme ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza, nuk e përjashtoj mundësinë të kandidoj për kryetar të Çairit”, deklaroi Mexhiti në emisionin “24 analiza”, përcjell PressOnline.al
Ndërkohë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm po ndodh në Kërçovë, ku kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka sinjalizuar se VLEN mund të mbështesë një kandidat të pavarur, njësoj siç po ndodh aktualisht në Strugë.
“Koalicioni VLEN për momentin përkrahë kandidatin e pavarur për Strugën dhe në ditët në vijim sigurisht që kjo formë e përkrahjes deklarative do të ketë edhe hapa konkrete. Nëse në një komunë të caktuar, në këtë rast edhe Kërçovën, preferenca do të jetë për një kandidat të pavarur, ne pa asnjë dilemë do të përkrahim kandidat të pavarur”, theksoi Kasami.
VLEN ka shprehur gatishmëri për përkrahje të ndërsjellë në të gjitha komunat ku do të garojnë kandidatë të koalicionit qeverisës, duke lënë të hapur mundësinë e koordinimeve më të gjera.
VMRO-DPMNE shpall emrat të dielën – Georgievski kandidat i mundshëm për Shkupin
Nga kampi opozitar maqedonas, VMRO-DPMNE pritet që të dielën në Komitetin Ekzekutiv të shpallë zyrtarisht emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, përfshirë edhe kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit. Si emër i mundshëm përflitet Orce Georgievski.
“Jo vetëm për Orce Georgievskin, por cilido kandidat i cili do të mbështetet nga partia ime, paraqet nder dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë, jo vetëm në zbatimin e programit, por edhe në drejtim të fushatës që na pret në prag të zgjedhjeve”, tha ministri për Qeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Fronti Evropian dhe LSDM ende pa emra zyrtarë
Fronti Evropian, nga ana tjetër, ende nuk ka publikuar listën e kandidatëve, ndonëse jozyrtarisht flitet se në lojë janë figura tashmë të njohura në politikën vendore. Edhe LSDM ka bërë publike vetëm një pjesë të kandidatëve, ndërsa pjesa tjetër pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.