Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të Odes se Avokatëve të Kosovës për vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në reagimin e publikuar më 25 maj 2026, Gjykata Supreme shprehu “keqardhje të thellë për mënyrën e reagimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, për kinse vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit nga Gjykata Supreme”.
Sipas Gjykatës Supreme, pas verifikimeve të kryera, nuk është konstatuar asnjë vonesë sistematike në trajtimin e këtyre rasteve.
“Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në reagim.
Tutje, Gjykata Supreme theksoi se trajtimi i rasteve bëhet edhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor.
“Gjykata Supreme mbetet e përkushtuar që në çdo rast të respektohen afatet ligjore dhe të sigurohet trajtim efikas i mjeteve juridike në çështjet e paraburgimit”, theksohet më tej.
Në reagim, Gjykata Supreme ftoi Odën e Avokatëve që, nëse posedon raste konkrete ku pretendohet tejkalim i afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, t’i adresojë ato tek kryetari i Gjykatës.
“Gjykata Supreme është e hapur për bashkëpunim dhe komunikim profesional me të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë”, përfundon reagimi.
Ndersa, gjate dites Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.
Sipas tyre, Kodi i Procedurës Penale parasheh afate të qarta dhe detyruese për trajtimin e këtyre rasteve, pasi bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Megjithatë, në praktikë, siç thuhet në reagim, po evidentohen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.
Oda e Avokatëve: Vonesa të vazhdueshme në trajtimin e ankesave për paraburgim
Oda thekson se në disa raste vendimet e Gjykatës së Apelit u dorëzohen palëve pas disa javësh, ndërsa janë raportuar edhe situata kur masa e paraburgimit është vazhduar nga gjykata e shkallës së parë pa u pranuar ende vendimi i Apelit nga palët.



