Nëse Maqedonia e Veriut i përmbush obligimet dhe ndryshon Kushtetutën, atëherë menjëherë do të fillojmë me konferencën ndërqeveritare për hapjen e klasterëve pa asnjë kusht tjetër politik. Këtë e theksoi sot eurokomisarja për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Marta Kos, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Hristijan Mickoski.
“Qëllimi ynë politik është që negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut të hapen sa më shpejt për Klasterin 1, sapo Maqedonia e Veriut të përmbushë kriteret relevante të dakorduara me Këshillin e BE-së, pra të zbatojë zotimet për ndryshimet kushtetuese.”, – deklaroi komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.
Eurokomisarja u pyet edhe për koment mbi amendamentet e deputetëve bullgarë në Parlamentin Evropian, me të cilat kërkohet që në raportin për progresin e vendit që do të votohet në seancën plenare të PE-së javën e ardhshme, për gjuhën maqedonase të përdoret mbiemri “modern”. Kos tha se integrimi në BE është mënyra më e mirë e mundshme për të mbrojtur identitetin.
“Bashkimi Evropian kujdeset për secilin vend anëtar veç e veç, në kuptimin që identiteti ynë ruhet mirë. Sllovenia gjithashtu është një vend i vogël me dy milionë banorë, por që kur u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2004, gjuha sllovene është një nga 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. Dhe që nga kur Moldavia u bë vend kandidat, unë në portofolin tim ndihmoj që të parandalohet narrativa ruse që thotë se ata do ta humbin identitetin.”, – theksoi komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.
Nga ana tjetër, kryeminsitri i vendit, Hristijan Mickoski, theksoi se Maqedonia e Veriut nuk pranon imponime nën maskën e procesit evropian. Ai mes tjerash tha se Maqedonia e Veriut do të lëvizë vetë me vullnet, me plan konkret dhe vizion të qartë.
“Nuk pranojmë imponime nën maskë të procesit evropian. Evropa është shtëpi e së drejtës, drejtësisë dhe dinjitetit. Këto janë vlerat që i pranojmë. Çdo gjë tjetër është e huaj për BE-në dhe e huaj për ne. Reformat tona nuk janë dekor, janë nevojë. Ne nuk do të presim që dikush të na shtyjë, do të lëvizim vetë me vullnetin tonë, me plan konkret dhe me vizion të qartë. Realizojmë rezultate, jo për shkak se dikush e kërkon këtë nga ne, por për shkak se këtë e meritojnë qytetarët tanë. Do të vazhdojmë t’i ndjekim vlerat evropiane, jo sepse këtë na e urdhëron dikush, por sepse është zgjidhja jonë dhe besojmë në këtë.”, – u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai theksoi se në Shkup jemi mikpritës, por edhe partnerë dhe aleatë të një vizioni të përbashkët, për një rajon që nuk përcaktohet nga problemet e tij, por nga mundësitë e tij.







