Zinxhirët më të mëdhenj të farmacive në Maqedoninë e Veriut qarkullojnë shuma të mëdha parash, por fitimet e tyre janë dukshëm të ulëta. Kjo jo për shkak të paaftësisë menaxheriale, por për shkak të qasjes më humane dhe filantropike që karakterizon pronaret e tyre – të gjitha gra. Pesë zinxhirët më të fuqishëm farmaceutikë në vend janë në pronësi dhe menaxhohen nga zonja të suksesshme, të cilat administrojnë më shumë se 340 farmaci në gjithë territorin dhe punësojnë mbi 1.700 persona, shkruan PressOnline.al
Motrat Mehandziska – Kristina Mehandziska-Gjorgievska dhe Viktorija Mehandziska – trashëgimtaret e afaristit të njohur Blagoja Mehandziski, janë në krye të zinxhirit më të madh farmaceutik në vend, “Zegin Farm”, i cili numëron 77 farmaci dhe 553 të punësuar. Ato zotërojnë edhe markën “Moja Apteka” (“Farmacia Ime”) me 110 farmaci dhe 585 punonjës.

Zinxhiri me më shumë farmaci në vend është “Eurofarm” nga Bitola, me 123 farmaci dhe 520 të punësuar, nën drejtimin e Angelka Belazelkoska.
Në listën e pesë më të mëdhave hyjnë edhe “Via Farm” nga Vevçani, që udhëhiqet nga Marica Ugrinovska Batkoska, me 19 farmaci dhe 65 të punësuar, si dhe “Viola” nga Shkupi, në pronësi të Maria Fidanovska, me 14 farmaci dhe 54 punëtorë.
Pavarësisht të ardhurave milionëshe, të gjitha këto kompani raportojnë fitime modeste – një indikator që tregon për një qasje më sociale sesa thjesht komerciale. Në një sektor që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e popullatës, këto gra biznesmene duket se e shohin misionin e tyre përtej bilanceve të fitimit.(PressOnline.al)



