Zgjedhjet lokale, partitë drejt publikimit të emrave

featured

Partitë politike në përzgjedhje të kandidatëve për kryetarë komunash. Fronti Evropian është në bisedime. Skender Rexhepi nga Lëvizja “Populli”, pjesë e opozitës, thotë se në Studeniçan janë favorit për të nxjerrë kandidatë, por varësisht bisedimeve do të veprojnë, përfshi këtu edhe bashkëpunimet parazgjedhore me Taravarin.

“Konsiderojmë që në Studeniçan si komunë, Lëvizja “Populli” është ndër faktorët kryesorë atje, por e them se do të ulemi t’i bisedojmë duke mos dashur të bëhemi pengesë e një vendimi të përbashkët të Frontit Evropian. Bisedimet, nëse ka midis individëve, respektivisht kryetarit të BDI-së dhe Taravarit, ato janë bisedime personale. Vendimet e Frontit Evropian i sjellin kryetarët e Frontit Evropian në tavolinë, në bisedime dhe në diskutim të hapur.”, – deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.

Edhe koalicioni VLEN është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe deri në fund të muajit do t’i bëjë të ditur emrat e kandidatëve.

“Procesi është pak më kompleks. Jemi duke biseduar me kandidatë të cilët vijnë nga partitë politike, por edhe nga shoqëria civile, gjithashtu edhe faktorë të tjerë do të kisha thënë të rëndësishëm të shoqërisë. Jemi në fazën edhe të testimit apo të anketave se cili nga këto kandidatë do të kishte dalë më mirë tek votuesit. Në bazë të atyre vlerësimeve paraprake, deri kah fundi i këtij muaji do të përmbyllet komplet procesi dhe pastaj do të jetë vendimmarrja politike për të përzgjedhur kandidatët për komunat konkrete.”, – theksoi Bilall Kasami nga VLEN.

VMRO – DPMNE emrat definitive do t’i zbulojë në muajin korrik.

“Veç më kemi rreth 33, 35 emra. Pres që të gjitha emrat të bëhen të ditura në pjesën e parë të muajit korrik.”, – u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ndërkaq pritet që socialdemokratët këtë javë të publikojnë emrat e parë të kandidatëve në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet lokale, partitë drejt publikimit të emrave
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *