Kiselova: Shqipëria, kampione në përpjekjet për integrim të plotë në BE

featured

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Kiselova po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ku pati një takim me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit, Kiselova përgëzoi Shqipërinë për arritjet serioze në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ju jeni kampionë në përpjekjet për integrim të plotë në BE, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Kiselova.

“Jo vetëm Kuvendi, por edhe qeveria, çdo ministër, pavarësisht nga konjuktura politike mendon se integrimi i plotë i Shqipërisë është një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Kiselova nënvizoi se, “Kuvendi popullor bullgar do të bëjë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar në rast nevoje punën tuaj intensive gjatë viteve të ardhshme në mënyrë që të përgëzojmë pastaj së bashku kur të jemi të gjithë pjesë e BE-së.

Dialogu ynë politik është i nivelit të shkëlqyer dhe mendoj se mund të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhëniet tona pozitive gjatë legjislaturës sonë. Legjislatura juaj do të fillojë që nga shtatori. Besoj se do të ketë një bashkëpunim të mirë edhe mes komisioneve dhe do të ndihmojmë me çdo gjë që mund të ndihmojmë, edhe në kuadër të NATO-s, edhe në kuadër të të gjithë organizatave ndërkombëtare. Po punojmë së bashku dhe shpresojmë që së bashku do të punojmë për paqen dhe sigurinë e Ballkanit”, tha Kiselova.

Kiselova: Shqipëria, kampione në përpjekjet për integrim të plotë në BE
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.