Në Komunën e Çairit është përuruar sot pishina sportive e re, një investim me vlerë rreth 1 milion euro, i cili pritet të përmbushë një nevojë të kahershme të qytetarëve për infrastrukturë moderne sportive dhe rekreative. Hapja e këtij objekti u bë e ditur nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi projektin si një tjetër dëshmi të realizimit të premtimeve të dhëna.
Në një publikim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Mexhiti theksoi se ky projekt është pjesë e një numri të madh investimesh që, sipas tij, po realizohen hap pas hapi në komunë.
“Pishina sportive, me investim prej 1 milion eurosh, sot hap dyert. Një projekt i madh që për shumë kohë ka qenë nevojë dhe kërkesë e qytetarëve, e që sot bëhet realitet. Premtim pas premtimi, po i realizojmë. Një nga një. Çdo projekt që kemi zotuar ka hyrë në rrugën e realizimit dhe çdo ditë po dëshmojmë se puna, përkushtimi dhe përgjegjësia japin rezultate. Javë pas jave, bashkë me qytetarët, po përurojmë vepra që mbeten. Si sot këtë pishinë sportive. Kjo është qeverisja jonë. Ky është VLEN. Fjalët i kthejmë në punë, ndërsa zotimet në rezultate. Urime!” - ka shkruar Mexhiti.
Sipas Komunës së Çairit, ky investim synon të përmirësojë kushtet për sport dhe rekreacion për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, duke ofruar një hapësirë moderne për aktivitete sportive dhe zhvillim të talentit në not.





