PZAP-ja dënon LVV-në me 39 mijë e 500 euro për shkelje të fushatës zgjedhore

featured
Press Online
30 Janar 2025, 14:06

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me një total prej 39.500 eurosh në vendimet e tij të 29 janarit, për shkelje të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore.

Dënimi më i rëndë i është shqiptuar LVV-së për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë një tubimi në Deçan, ku ajo e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”. Për këtë, PZAP i ka vendosur një gjobë prej 10 mijë eurosh.

Po ashtu, LVV-ja u dënua me 5.500 euro për një postim të këshilltarit të kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, në Facebook, ku ai kishte shkruar se “fitorja e opozitës do të ishte fitore vendimtare për Serbin gjenocidale”.

Një tjetër dënim i ngjashëm prej 5.500 eurosh është shqiptuar për një postim të kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli, që sipas PZAP-së, kishte përdorur gjuhë urrejtëse dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare.

LVV-ja është dënuar gjithashtu me 8.000 euro për pengimin e gazetarëve në kryerjen e detyrës gjatë tubimeve në Malishevë dhe Mitrovicë, ku sipas PZAP-së, u përdor edhe gjuhë që nxit dhunën ndaj gazetarëve.

Për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që akuzoi kundërshtarët e LVV-së për lidhje me “klanet e krimit dhe korrupsionit”, partia u dënua me 5.500 euro.

Po ashtu, LVV-ja mori një gjobë prej 5.000 eurosh për pjesëmarrjen e fëmijëve në tubimet zgjedhore.

PZAP-ja kështu po vazhdon të dënojë partitë politike për shkelje të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter