Kanë mbetur edhe pak ditë derisa konkursi për kryeprokuror të shtetit të përmbyllet.
Megjithatë Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk ka treguar se sa persona kanë aplikuar deri tash për këtë pozitë, duke thënë se kjo do të bëhet pas përmylljes së afatit të konkursit.
Derisa nga ky institucion folën për padinë që Blerim Isufaj, i përzgjedhur më 2022 për këtë pozitë, bëri ndaj KPK-së, për këtë konkurs.
“Lidhur me pyetjen tuaj për numrin e aplikuesve në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, ju njoftojmë se procesi i pranimit të aplikacioneve është ende në zhvillim e sipër dhe afati për aplikim mbetet i hapur deri më 10 qershor 2026. Për këtë arsye, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk publikon të dhëna lidhur me numrin e aplikuesve deri në përfundimin e afatit të konkursit dhe verifikimin administrativ të aplikacioneve të pranuara. Sa i përket padisë së paraqitur nga z. Blerim Isufaj në gjykatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës e respekton të drejtën e secilit person për t’iu drejtuar organeve kompetente gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij juridike. Duke pasur parasysh se çështja është në procedurë gjyqësore, KPK-ja nuk komenton rastet që janë objekt shqyrtimi nga gjykatat dhe do të veprojë në përputhje me vendimet e institucioneve kompetente. Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit është shpallur në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat e parapara për këtë proces.”
Nga Gjykata Admininistrative nuk kanë kthyer përgjigje sa i përket kësaj padie, por avokati i Isufajt, Artan Çerkini ka thënë për Dukagjinin se ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje për këtë.
Liridon Salihu, hulumtues në GLPS thotë se Gjykata duhet të vendos sa më shpejt që është e mundur duke pas parasysh natyrën e rastit.
“Bazuar në afatet që përmban rregullorja vlerësojmë që gjysma e korrikut ose fundi i korrikut mund të dalë me një kandidat nga ana e KPK-së për kryeprokuror të shtetit, por varet edhe nga procedurat që do e përcjellin këtë proces, sic e dini tashmë është atakuar në gjykatë shpallja e këtij konkursi, pritet ndonjë vendim nga ana e gjykatës, dhe varësisht prej asaj mund të dallojë edhe koha kur mund të kemi kryeprokurorin e ri të shtetit”, ka thënë Salihi.
Ndërkohë që Vullnet Bugaqku thotë se ky proces duhet të përmbyllur me transparencë dhe integritet të plotë.
“Nuk e shoh që ka me pas ndonjë ndërlidhje eksplicite qoftë në propozimin e kandidatura apo përzgjedhjes së kandidaturave nën ndikimin politik sepse pres që përbërja e re e KPK-së të mos i bëjë gabimet që i kanë bërë përbërja e vjetër dhe pres që të zhvillojë një procedurë tejet transparente dhe në mënyrë meritore”, ka thënë Bugaqku.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të hapë konkurs të ri për kryeprokurorin e shtetit, 4 vjet pas atij që nxorri të parin Blerim Isufajn, por që nuk u dekretua na presidentja.
https://www.youtube.com/watch?v=0HCUJVs2KV8





