Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka tërhequr vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për “Moxico Luma Kosova Mining L. L. C”.
Kështu ka bërë të ditur Qeveria në një njoftim zyrtar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka shfuqizuar vendimin Nr.04/112 të datës 13 dhjetor 2022 me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës Vendimin e Qeverisë Nr. 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për Subjektin Investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës i kishte dhënë statusin e Investitorit Strategjik subjektit investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L.L.C”, me projektin investues “VICIANUM MINING PROJECT”, në dhjetor të vitit 2020.
Kapitali i investimit strategjik ishte paraparë për një periudhë 5-vjeçare dhe investimi do të realizohej në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.