Jessie J ka ndarë me fansat një nga momentet më emocionale të jetës së saj, duke zbuluar se është zyrtarisht pa kancer, 11 muaj pasi u diagnostikua me kancer gjiri.
Këngëtarja britanike 38-vjeçare publikoi në Instagram një video nga spitali, ku shihej duke u përgatitur për rezonancën magnetike (MRI), ndërsa fliste hapur për frikën dhe ankthin që po përjetonte para kontrollit vjetor.
Jam rikthyer për kontrollin tim vjetor dhe sinqerisht po vdes nga frika
-tha ajo në video.
Duhet të futem për rezonancën magnetike, të bëj sikur nuk kam klaustrofobi… shpresoj që gjithçka të dalë mirë, energji pozitive dhe mos u shqetësoni për asgjë.
Pak orë më vonë, artistja ndau lajmin që emocionoi fansat në mbarë botën.
Rezultatet dolën dhe unë jam pa kancer! Qava për orë të tëra dhe më pas mora frymë lirshëm për herë të parë pas një viti.
Jessie J kishte zbuluar në qershor të vitit të kaluar se ishte diagnostikuar me kancer gjiri në fazë të hershme. Ajo iu nënshtrua një mastektomie dhe u detyrua të anulonte turneun muzikor për shkak të operacioneve dhe trajtimeve intensive.
Kanceri është i tmerrshëm, por falë Zotit e zbulova herët
-ishte shprehur ajo më herët.
Artistja ka folur shpesh edhe për betejën emocionale që përjetoi gjatë kësaj periudhe, sidomos në raport me djalin e saj, Sky.
Dje qava. Ndihem sikur nuk mund të jem nëna që dua për djalin tim dhe më mungon. Ndihem sikur kanceri më ka vjedhur kujtime me të
-rrëfeu ajo në podcastin e Jamie Laing.
Ajo pranoi gjithashtu se pati momente shumë të errëta gjatë trajtimit.
Kam pasur momente kur mendoja se kjo mund të përfundonte keq dhe se mund të vdisja.
Pas lajmit të lumtur, rrjetet sociale u mbushën me mesazhe mbështetjeje dhe urime nga fansa dhe personazhe të njohur, të cilët përgëzuan këngëtaren për forcën dhe rikuperimin e saj.



