Oda e Avokatëve: Vonesa të vazhdueshme në trajtimin e ankesave për paraburgim

featured
Press Online
25 Maj 2026, 13:07

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

Sipas tyre, Kodi i Procedurës Penale parasheh afate të qarta dhe detyruese për trajtimin e këtyre rasteve, pasi bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, në praktikë, siç thuhet në reagim, po evidentohen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

Oda thekson se në disa raste vendimet e Gjykatës së Apelit u dorëzohen palëve pas disa javësh, ndërsa janë raportuar edhe situata kur masa e paraburgimit është vazhduar nga gjykata e shkallës së parë pa u pranuar ende vendimi i Apelit nga palët.

Vonesa, sipas tyre, janë edhe më të theksuara në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

Në reagim thuhet se respektimi i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk është vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike.

Oda e Avokatëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave për paraburgim të ketë prioritet absolut dhe që afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter