Kujtimet e luftës në Kosovë​, rrëfimet e të mbijetuarve në Çikatovë të Vjetër

featured

Shiu gjatë së hënës po u kujton ditën kur fshati Çikatovë e Vjetër u rrethua nga forcat policore serbe.

Të mbijetuarit, familjarët e banorët e këtij fshati në Drenas kërkojnë drejtësi për të masakruarit e lagjes “Morina”, eshtrat e të cilëve më pas u dërguan në varreza masive në Serbi.

Ish-ushtari i UÇK-së, Afrim Morina po jeton me dhimbjen për familjarët e vrarë, në mesin e të cilëve babën dhe axhën.

Ai kujton mëngjesin e para 24 vjetësh, ku tregon se i gjithë fshati ishte bërë tym.

“Kjo ditë për neve është ditë shumë e dhimbshme se në po të njëjtën ditë 1999 na janë vrarë bashkë familjarët tonë, bashkëvendësit tanë. Në të njëjtën datë, e njëjta kohë na ka marrë thuajse si e sotit me shi, me vranësira, kur na kanë ardhur forcat serbe nëpër familje. Por, faktikisht unë kam qenë ushtar i UÇK-së, brigada 113 ‘Fehmi Lladrovci’. Ne kemi qenë nëpër istikamet tona kur e kanë rrethakuar fshatin tonë më 17 prill. Ka pasur të djegur, i kallur ka qenë i gjithë fshati, tymë e flakë. Mëngjesin e hershëm të datës 17 prill ’99, janë të vrarë vetëm në lagjen ‘Morina’, 23 persona”, tregon ai për KosovaPress.

Pas masakrimit të trupave, eshtrat e tyre ishin dërguar në varreza masive në Serbi.

“Pasi kanë masakruar serbët, i kanë marrë edhe janë munduar të fshehin edhe gjurmët e krimit që kanë bërë, i kanë dërguar në Bajtanicë. Pas 15 vitesh ose 17 i kemi gjetur kufomat, sepse edhe kufomat deri në vitin 2018 nuk i kemi pasur as kufomat”, shton ai.

I mbijetuari i kësaj masakre, Petrit Morina po kërkon drejtësi për gjashtë familjarët që ka humbur në këtë masakër.

“Para 24 vjetësh, ushtria e rregullt e Serbisë na ka nxjerrë me dhunë nga shtëpitë tona, gra dhe fëmijë i ka nisur në drejtim të Drenasit dhe të gjithë meshkujt e shtëpive i ka nxjerrë prej shtëpive dhe na kanë qitur para pushkatimit. Aty kam humbur gjashtë anëtarë të familjes, babën, vëllaun, dy axhallarët dhe një nga një djalë. Pas një kohe që janë larguar forcat serbe, unë jam larguar me axhën Sokol dhe dy kushërinj të tjerë dhe deri në mbrëmje dhe ushtria serbe ka hyrë dhe i ka plaçkitur shtëpitë tona, i kanë marrë veturat, traktorët dhe mandej i ka djegur shtëpitë tona. Pas një muaji e gjysmë, ka ardhur ushtria serbe dhe për të humbur gjurmët e këtij krimi që i ka bërë në fshatin Çikatovë e Vjetër dhe i ka nxjerrë me eskavatorë dhe i ka marrë kufomat i ka dërguar në Serbisë”, shprehet Morina.

Ai përveç institucioneve vendore, kërkon drejtësia edhe nga ndërkombëtarët.

“Ngjarje më e tmerrshme dhe më mizore që ka bërë Serbia, ka masakruar njerëz të pafajshëm. Kemi humbur gjashtë anëtarë të familjes të ngushtë dhe 18 të afërm. I bëjë apel presidentes, kryeministrit, bashkësisë evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i bëjnë presion Serbisë, kriminelët të sillen para drejtësisë të marrin dënimin e merituar”, shton ai.

Edhe axha i tij, Sokoli, ka kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e pafajshme,

“Kam qëndruar tre muaj nën gurë, si gjarpëri nën gurë vetëm për të mos i ranë shkaut në dorë…Bashkimi Evropian duhet të bëjë trysni te pala serbe që ne me gëzua lirinë, ne jemi një popull që kurrë në jetë nuk e ngucim askënd”, përfundon ai.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, vetëm në Çikatovë të Vjetër janë të vrarë mbi 40 persona./ KosovaPress


Top Channel

Kujtimet e luftës në Kosovë​, rrëfimet e të mbijetuarve në Çikatovë të Vjetër
|