Skandal milionash për Johnny Depp? Si iu zhdukën paratë pa e kuptuar për dy vite?

featured
Press Online
31 Maj 2026, 01:39

Aktori i njohur i Hollywood-it, Johnny Depp, thuhet se ka rënë pre e një mashtrimi financiar që i ka kushtuar mbi 600 mijë euro, ndërsa detajet e çështjes po bëjnë bujë në mediat ndërkombëtare.

Sipas raportimeve, të dhënat e kartës së tij American Express janë përdorur në mënyrë të paligjshme për gati dy vite, pa u vënë re nga vetë aktori. Gjatë kësaj kohe janë realizuar qindra pagesa dhe blerje luksoze, përfshirë udhëtime të shtrenjta dhe shpenzime të tjera ekskluzive.

Hetimi ka çuar autoritetet drejt Budapestit, ku policia zhvilloi një operacion në Distriktin 13 të qytetit. Në pranga ka përfunduar një 27-vjeçar me origjinë jordaneze, i cili dyshohet se qëndron pas gjithë skemës së mashtrimit.

Sipas hetuesve, gjithçka nisi pasi një bankë amerikane vuri re lëvizje të pazakonta në llogarinë e Depp dhe njoftoi autoritetet federale. Më pas, hetimi u koordinua me FBI-në dhe policinë hungareze, të cilat arritën të identifikonin të dyshuarin përmes gjurmëve dixhitale dhe adresave IP.

Dyshohet se i riu kishte siguruar të dhënat bankare të aktorit përmes rezervimeve online ose pagesave hoteliere. Nga janari 2024 deri në fund të vitit 2025, ai besohet se ka kryer mbi 300 transaksione të ndryshme duke përdorur informacionet e kartës së Depp.

Burime pranë hetimit thonë se mashtrimi arriti të kalonte pa u zbuluar për kaq gjatë për shkak të pasurisë së madhe të aktorit, pasi pagesat individuale nuk konsideroheshin alarmante në pamje të parë.

Rasti ka ngritur edhe dyshime të tjera, pasi gjatë asaj periudhe Johnny Depp ndodhej shpesh në Budapest për xhirimet e filmit të tij “Modì”. Autoritetet po hetojnë nëse të dhënat e kartës janë vjedhur pikërisht gjatë qëndrimeve të tij në kryeqytetin hungarez.

Ndërkohë, i arrestuari ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza të rënda për mashtrim kompjuterik. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia raportoi se janë gjetur edhe substanca të dyshuara narkotike, çka mund ta rëndojë më tej situatën e tij përpara drejtësisë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter