Një rast i rrallë dhe kompleks ligjor ka tronditur sistemin e drejtësisë në Queensland të Australisë, pasi një grua lindi binjakë, një djalë dhe një vajzë, të cilët rezultuan se kishin prindër biologjikë të ndryshëm.
Foshnjat erdhën në jetë në nëntor të vitit 2025, përmes një lindjeje cezariane.
Analizat zbuluan se vajza ishte fëmija biologjik i çiftit që kishte kërkuar shërbimin e nënës surrogate, ndërsa djali ishte biologjikisht fëmija i nënës surrogate dhe bashkëshortit të saj.
Çifti kishin lidhur marrëveshjen me nënën surrogate, të identifikuar në dokumentet gjyqësore si DZ, në shtator 2024, pasi nuk mund të kishin fëmijë për shkak të një problemi shëndetësor. Në prill të vitit 2025, një embrion u implantua përmes fertilizimit in vitro.
Rreth dy javë më vonë, një ekografi tregoi senwna surrogate ishte shtatzënë me binjakë. Testimet gjenetike zbuluan më pas se vetëm vajza ishte rezultat i embrionit të implantuar. Djali ishte ngjizur veçmas, pa ndërhyrje mjekësore, gjatë së njëjtës periudhë.
Rasti u dërgua në Gjykatën e Fëmijëve të Queensland, pasi ligjet lokale për zëvendësimin ndalojnë ndarjen e “vëllezërve dhe motrave biologjike” në rastet e lindjeve të shumëfishta.
Gjyqtarja Jodie Wooldridge arriti në përfundimin se, ndonëse fëmijët mund të konsideroheshin binjakë gestacionalë, ata nuk ishin “vëllezër e motra biologjike” në kuptimin e përcaktuar nga ligji i zëvendësimit.
Për këtë arsye, gjykata lejoi formalizimin e prindërisë së vajzës tek çifti që kishte lidhur marrëveshjen e zëvendësimit.
Avokati i specializuar në çështjet e zëvendësimit dhe familjes, Stephen Page, tha se fakti që fëmijët ishin ngjizur veçmas nënkuptonte se ata nuk ishin rezultat i së njëjtës shtatzëni në kuptimin juridik të ligjit dhe, për rrjedhojë, nuk konsideroheshin vëllezër e motra biologjike sipas Aktit të Zëvendësimit.
Para vendimit, një këshilltar i pavarur kishte vlerësuar situatën dhe kishte rekomanduar që të dy fëmijët të rriteshin duke e njohur njëri-tjetrin dhe duke kuptuar, në mënyrë të përshtatshme për moshën, vendin e tyre në rrjetin më të gjerë familjar.
Sipas këshilltarit, nëse të dy fëmijët rriten në familje të qëndrueshme dhe të kujdesshme, nuk kishte prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se ndarja që nga lindja do t’u shkaktonte domosdoshmërisht dëm psikologjik.
Gjykatësja Wooldridge e cilësoi rastin si “unik” dhe vendosi se, në rrethanat konkrete, dy fëmijët nuk mund të konsideroheshin vëllezër e motra biologjike sipas ligjit të Queensland.
Të dy familjet kanë deklaruar se nuk kanë pasur mosmarrëveshje për origjinën e fëmijëve dhe synojnë që ata të kenë një marrëdhënie me njëri-tjetrin gjatë rritjes.
/vizionplus.tv


