Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka zhvilluar një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit.
Në fokus të takimit ka qenë forcimi i komunikimit me qytetarët dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratës publike në territor.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Lamallari shkruan se besimi te institucionet ndërtohet përmes pranisë, komunikimit të hapur dhe zgjidhjeve reale, që e bëjnë qytetarin të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar.
“Shumë qytetarë i drejtohen institucionit të Prefektit, çdo ditë në kërkim të shërbimeve të ndryshme apo të një përgjigjeje. Prandaj, përmes Prefektëve të 12 qarqeve të vendit përcolla porositë e Kryeministrit mbi domosdoshmërinë e një komunikimi sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët nga çdo punonjës në shërbim të tyre.
Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion e qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe të japim zgjidhje. Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete. Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik në çdo cep të vendit”, shkruan Lamallari.
/vizionplus.tv


