Protesta e qytetarëve ka qenë tema e diskutimit këtë të enjte në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, analisti Armir Shkurti theksoi se ajo që i bëri bashkë shqiptarët ishte ai person që u tërhoq zvarrë nga policia private, i cili mund të ishte çdokush nga protestuesit dhe shqiptarët.
Sipas Shkurtit, sot është gabim të mendosh se aty protestohet për Zvërnecin, por po protestohet kundër keqqeverisjes.
Pjesë nga biseda:
Gashi: Historia nuk fillon me atë që vjen në pushtet. Hoxha dilte në vitin 1981 dhe thoshte se jemi më mirë se në vitin 1938. Edhe ju keni bërë atë që duhet, keni bërë atë për të cilën paguheni. Ju keni fëmijë, por nëse do t’i çonit në një fushë futbolli, do ta shihnit se edhe ata do ta prishnin gojën. E treta, nëse t’i dëgjonin nga unë, nga Shpendi, që të jem duke të sharë ty apo duke bërë brohoritje, do të thoshe: “Po, ata janë huliganë”. Aty ka edhe të rinj që janë 18 vjeç. Më vjen një i ri, një votues i juaji, dhe më thoshte: “Unë jam shqiptar”. E kuptova që ishte elektrizim i turmës. Kryesorja është që sot po protestohet kundër një qeverie. E pranoni apo jo ju?
Vengu: E thashë edhe vetë dinjitetin e protestës. Elementi i dytë, e thashë që është një ylber kjo protestë. Por, nga ana tjetër, nuk duhet të pengohemi të shohim realitetin e një pylli ndryshe. Ne duhet të bëjmë një bisedë se çfarë duhet të zgjedhim si rrugë zhvillimi.
Shkurti: Unë dua të komplimentoj zotin Vengu për qasjen. Nëse do të kishte folur kështu zoti Rama, ne do të ishim në shtëpi sot. Ne nuk na shqetëson prona e 10 fshatarëve të Zvërnecit; ne na janë djegur pronat tona, na janë djegur pronat kudo. Ne të gjithëve na ka ngritur ai që e tërhoqën zvarrë. Te ai ishte secili nga ne. Në këtë protestë nuk ka ardhur ajka, ka ardhur populli. Kanë ardhur njerëz edhe për të sharë, edhe për të provokuar. Në këtë kontekst, nëse e lexoni si protestë të Zvërnecit, po e lexoni gabim. Pasojat do t’i paguajmë të gjithë. Nuk ka ju dhe ne; nëse Shqipëria shkon keq, do të mbytemi të gjithë. Ka tentativa kur mediat thonë “protesta e Zvërnecit”. Kjo, i nderuar zoti deputet, është protestë kundër regjimit. Kjo politikë e ka mbyllur ciklin.
Vengu: Shteti reagoi për të hequr ato kangjella. Nuk ka njeri që nuk e di çfarë ka ndodhur para pak vitesh në një shesh me kangjella. Ishte Edi Rama ai që i hoqi kangjellat.





