Georgina Rodríguez arriti të tërheqë gjithë vëmendjen në Met Gala, jo vetëm me fustanin spektakolar, por me një detaj luksoz që po bën xhiron e rrjetit.

Modelja u shfaq me një krijim të dizajnerit belg Ludovic de Saint Sernin, ndërsa stilimi u realizua nga Alba Melendo.

Fustani, i punuar me dorë në Paris, kishte një strukturë të ngjashme me korsenë, i pasuruar me dantellë dhe detaje të pikturuara, në përputhje me temën e këtij viti “Moda është art”.
Pamja u kompletua me një vello elegante dhe dy mesazhe të fshehura të qëndisura në spanjisht, duke i dhënë veshjes një dimension emocional dhe simbolik. Frymëzimi kryesor, sipas ekipit të saj, lidhet me besimin personal të Georginës ndaj “Zonjës së Fatimës”.

Megjithatë, ajo që mori vëmendjen më të madhe ishte rruzarja luksoze që mbante, e cila thuhet se është ideuar nga vetë ajo. E realizuar me ar të bardhë 18 karatësh, perla natyrale dhe dhjetëra diamante, kjo bizhuteri përfshin edhe një medalion me figurën e “Zonjës së Fatimës” dhe emrat e anëtarëve të familjes së saj të gdhendur në të.

Sipas raportimeve, vlera e saj mund të arrijë deri në 7 milionë euro, edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar.

Look-u u përmbyll me këpucë nga Le Silla dhe bizhuteri nga Chopard, ku spikati diamanti i famshëm “The Queen of Kalahari”.

Ekipi kreativ theksoi se kjo paraqitje është një ndërthurje mes besimit, luksit dhe artit, duke e kthyer Georginën në një nga figurat më të komentuara të mbrëmjes.



