Protokolli me Bullgarinë kusht për negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në

featured
Press Online
17 Mars 2026, 22:08

Shërbimi juridik i Këshillit Evropian duhet urgjentisht të sqarojë të gjitha paqartësitë lidhur me statusin juridik të Protokollit të Dytë nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe miqësi ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, në kontekst të procesit të anëtarësimit të vendit. Këtë e kërkon raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, përmes një amendamenti në projekt-rezolutën për vendin, të hartuar pikërisht prej tij. Kjo vjen pasi eurodeputetët bullgarë, në amendamentet e dorëzuara ndaj draft-raportit, përveç ndryshimeve kushtetuese, e theksojnë edhe Protokollin si detyrim për vendin për nisjen e negociatave, informon PressOnline.al

“Rikujton se procesi i anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e kushteve të përcaktuara në Kornizën Negociuese të BE-së, nga kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimi i marrëveshjeve bilaterale dhe ndërkombëtare, në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe meritat vetjake të vendit, përfshirë zbatimin e plotë dhe me mirëbesim të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe protokollet e saj, si dhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, thuhet në amendamentin e Kovaçevit.

Eurodeputetët bullgarë, me rreth 100 amendamente nga gjithsej 400, kërkojnë gjithashtu mbajtjen e një konference të tretë ndërqeveritare ndërmjet Shkupit dhe Sofjes për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe të Protokollit. Ata kërkojnë që Komisioni Historik të arrijë rezultate të qarta dhe të matshme, duke dhënë edhe udhëzime konkrete për natyrën e tyre. Sa i përket Planit të Veprimit për pakicat, ata theksojnë se, sipas përfaqësuesve të disa komuniteteve në vend — pa e përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetin bullgar — ai nuk garanton mbrojtje të mjaftueshme dhe efektive nga diskriminimi dhe dhuna, nuk siguron mekanizma funksionalë për luftën kundër gjuhës së urrejtjes, nuk adreson siç duhet shkeljet e pretenduara sistematike të të drejtave dhe nuk përmban masa ligjore efikase. Eurodeputetët bullgarë janë gjithashtu të zëshëm në lidhje me respektimin e të drejtave gjuhësore të pakicave në Maqedoni, megjithëse pa e përmendur drejtpërdrejt çështjen e gjuhës maqedonase.

Në projekt-rezolutë, Vajc, ndonëse përpiqet të mos prekë çështjet e identitetit dhe gjuhës, megjithatë i rikthen ato si temë përmes amendamenteve, duke theksuar se ato janë, nga natyra e tyre, çështje të ndjeshme, veçanërisht në kontekste që përfshijnë narrativa historike komplekse dhe shtete të reja të pavarura.

“Ai e njeh ekzistencën e interpretimeve të ndryshme lidhur me origjinën e gjuhës dhe identitetit maqedonas; thekson se raporti i tij nuk synon të paragjykojë apo të kufizojë diskursin shkencor mbi këto çështje, dhe as që interpretimet e tilla të ndikojnë në vlerësimin e Parlamentit për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE, i cili mbetet i bazuar në kriteret e Kopenhagës dhe në parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore, në përputhje me kriteret e dakorduara në Përfundimet e Këshillit të korrikut 2022”, thekson Vajc në amendament, përcjell PressOnline.al

Vajc kërkon që institucionet evropiane të jenë më aktive për zhbllokimin e rrugës integruese të vendit dhe propozon futjen e shumicës së kualifikuar për hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues, në vend të vendimmarrjes me unanimitet nga shtetet anëtare. Nga ana tjetër, një pjesë e eurodeputetëve nuk pajtohen me kërkesën e Vajcit për integrim gradual të vendit në BE, në sa më shumë fusha të jetë e mundur, por kërkojnë përmbushje strikte të të gjitha kushteve në mënyrë që procesi i integrimit të avancojë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter