Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, në qytetin ku 118 vite më parë u hodhën themelet e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe.
Në një mesazh nga kjo shtëpi-muze, Rama vlerësoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit si një moment vendimtar për identitetin, kulturën dhe bashkimin e shqiptarëve.
“Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burrat, të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm, janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur. Ndërsa në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se mungesa e një alfabeti të përbashkët ishte një pengesë e madhe jo vetëm për komunikimin mes shqiptarëve, por edhe për zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare.
“Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkruanin letra, merrni me mend se çfarë pengese ishte për një komb që nuk kishte shkolla, libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët”, tha ai.
Rama kujtoi se në Manastir u mblodhën përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare, nga malet, luginat dhe brigjet e detit, të cilët, pavarësisht dallimeve në përkatësinë fetare, të folur dhe parapëlqimet për shkronjat, arritën të gjenin një zgjidhje të përbashkët.
“Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe, kur vinte puna tek alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi”, u shpreh kryeministri.
Ai vlerësoi se vendimmarrja e Kongresit i hapi rrugën një procesi të rëndësishëm të njësimit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një kontribut që vazhdon të mbajë të bashkuar kombin.
Mes figurave të Kongresit, Rama veçoi edhe Parashqevi Qiriazin, duke nënvizuar kontributin e saj në arsimin dhe gjuhën shqipe.
“Mes burrave të këtij kongresi ishte edhe një grua e re nga ky qytet, Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua, e cila, me t’u mbyllur Kongresi, u ul të shkruante një libër. Shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne, kur miratuam Abetaren e Përbashkët me qeverinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Rama u ndal edhe te përgjegjësia e brezit të sotëm për ruajtjen e gjuhës shqipe, veçanërisht te fëmijët që jetojnë jashtë vendit.
“Sot është e lehtë t’i duartrokasim ata që bënë për gjuhën tonë punët e mëdha të së shkuarës, por pyetja pak më e vështirë është: çfarë pune na takon të bëjmë ne?”, theksoi Rama.
“Ka sot një fëmijë shqiptar në diasporë që e kupton çdo fjalë që i thotë gjyshja në telefon, por kur do t’i tregojë çfarë i ndodhi në shkollë, i kërkon ndihmë mamit”, u shpreh ai.
Kryeministri tha më tej se shqipja është nën një agresion të madh, si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla në këtë kohë të teknologjisë digjitale.
‘Prandaj, qeveria e Shqipërisë, qeveria e Kosovës dhe të gjitha strukturat dhe institucionet që shqiptarët kanë sot në këtë rajon duhet të shohin më tutje, me një projekt afatgjatë për shqipen, mbi themelet që tanimë i kemi ndërtuar së bashku me abetaren e përbashkët dhe me tekstet që kemi punuar bashkë për mësimin shqip në distancë. Do të ishte vërtet e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina, sot së bashku me të tjerët përreth, në këtë hapësirë ku shqipja i gëzon të drejtat që nuk i ka pasur më parë, të ndërmerrnin së bashku përsipër ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe çdo mësues shqiptar në mbarë botën, me libra që mund t’i lexosh ose t’i dëgjosh, me shkencë të treguar bukur në shqip, me letërsi për çdo moshë”, propozoi Rama.
Ai tha se do ishte bukur që kjo nismë të merrte jetë nga një tryezë ku një mësuese nga Tirana, një mësuese nga Prishtina, një tjetër nga Tetova, një nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip të shtunave në Athinë apo në Zyrih të uleshin dhe të na mësonin se çfarë ka munguar të hënën e shkuar në klasë.
Rama theksoi se 22 Nëntori, përveç një festë zyrtare duhet të ishte edhe një ditë për t’ia kushtuar llogaridhënies për ecurinë e gjuhës shqipe, në Shqipëri dhe Kosovë. “Sa libra të rinj kanë mbërritur te fëmijët, sa mësues jashtë kufijve kemi ndihmuar, sa fëmijë që vjet e kuptonin shqipen sivjet arrijnë të lexojnë një tregim të tërë?”, shtoi Rama.
Në përfundim, kryeministri Rama shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën në këmbë dhe e mbajtën në jetë “këtë shtëpi të bekuar të historisë sonë”.



