Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski hedh poshtë pretendimet se shtylla e dytë e pensioneve po hiqet me propozimin për të fshirë Nenin 120, pra dispozitën për pagesën prej 6 përqind në shtyllën e dytë të pensioneve.
“Shtylla e dytë e pensioneve nuk po hiqet. Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nuk e shfuqizojnë shtyllën e dytë të pensioneve, as kontributin e paguar në të. Kjo është çështje e harmonizimit ligjor dhe teknik të rregullores. Neni 17 i projektligjit, i cili është publikuar në ENER, propozon fshirjen e Nenit 120 nga ligji ekzistues që rregullon shkallën e kontributit për shtyllën e dytë të pensioneve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kontributi po hiqet ose se shtylla e dytë e pensioneve po hiqet”, deklaroi Vellkovski në një deklaratë me shkrim.
Përkundrazi, shton Ministri, rregullimi i tij normativ po transferohet në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme Shoqërore, ku çështjet që lidhen me kontributet e detyrueshme shoqërore do të rregullohen në mënyrë sistematike.
“Pra, shtylla e dytë e pensioneve vazhdon të ekzistojë, ndërsa kontributi vazhdon të rregullohet me ligj. Bëhet fjalë për transferimin e dispozitës ligjore në një ligj tjetër, jo për heqjen e shtyllës së pensioneve”, shpjegon Vellkovski.



