Kamatat e kredive për banesa nuk do të jenë të njëjta – më të favorshme për banim, më të shtrenjta për investime

featured
Press Online
27 Gusht 2025, 09:43

Të rinjtë që për herë të parë blejnë banesë apo shtëpi për të jetuar do të kenë qasje në kredi më të favorshme, ndërsa kush blen të dytën apo të tretën pronë si investim do të përballet me kushte më të rrepta. Këtë e paralajmëroi guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Trajko Sllaveski, përcjell PressOnline.al.

Ai theksoi se rritja e vazhdueshme e çmimeve të patundshmërive, sidomos në Shkup, i vë të rinjtë në pozitë të vështirë për zgjidhjen e problemit të banimit. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Agjencinë e Kadastrës dhe bankat komerciale, brenda dy javëve të ardhshme do të prezantohen masa që do të bëjnë dallim të qartë mes kredive për banim dhe atyre për investime. Sllaveski gjithashtu pret që bankat të kontrollojnë deklaratat që qytetarët japin kur marrin kredi, pasi mbi 70% e banesave të blera me kredi janë deklaruar si vendbanime, megjithëse shpesh janë lëshuar me qira ose kanë mbetur bosh.

“Ne duam të vendosim qartë dallimin, ashtu siç është në gjithë botën. Familjet që për herë të parë blejnë banesë duhet të kenë trajtim më të favorshëm, ndërsa përgjegjësia për deklaratat e dhëna duhet të ketë peshë më të madhe materiale dhe ligjore”, u shpreh guvernatori Sllaveski.

Në takimin me të, drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Ivan Zhivkovski, njoftoi se deri në fund të shtatorit do të riaktivizohet Regjistri i çmimeve dhe qirave, i cili ishte ndërprerë nga udhëheqja e mëparshme. Ky regjistër do t’u mundësojë qytetarëve qasje online në të dhënat për shitblerjet, qiratë, vitin e ndërtimit dhe materialet e përdorura në ndërtim. Zhivkovski theksoi se aktualisht po punohet në një platformë të re me module shtesë, që do të mundësojnë identifikimin e çmimeve reale në tregun e patundshmërive.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave po analizon nëse banesat e shitura për herë të parë do të vazhdojnë t’i nënshtrohen regjimit me TVSH të reduktuar prej 5% apo kjo normë do të rritet në 18%. Sipas Sllaveskit, edhe në rast se tatimi rritet, kjo nuk do të jetë në kundërshtim me masat e reja të Bankës Popullore. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter