Nga mbi 100 nominime të deritanishme për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, vetëm nëntë kandidatura i takojnë grave. Edhe këtë cikël zgjedhor po përsëritet praktika që në gishta të numërohen gratë që arrijnë të hyjnë në garën për kryetare komunash, përcjell PressOnline.al.
Nga 33 kandidatë të shpallur nga VMRO-DPMNE, vetëm një është grua – Natalija Dimitrieva, kandidate në Demir Kapi. Ndërsa opozitarja LSDM deri tani ka shpallur shtatë kandidate gra në disa komuna, përfshirë edhe Kaja Shukova, e cila garon për kryetare të Shkupit kundër pesë burrave.
Në kampin politik shqiptar situata është edhe më e zymtë: as VLEN, as BDI, as Aleanca për Shqiptarët dhe as koalicioni i Ziadin Selës nuk kanë nominuar asnjë grua për kryetare komune. Deri tani, në historinë e zgjedhjeve lokale, vetëm Teuta Arifi (BDI) dhe Milikije Halimi (LSDM) kanë arritur të drejtojnë komuna shqiptare.
Kandidati për Çair dhe një nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, gjatë një tubimi me Forumin e Grave theksoi se “demokracia nuk mund të ekzistojë pa gra, pasi përjashtimi i tyre nga politika është shkatërrimi i saj që në themele”. Megjithatë, edhe koalicioni i tij nuk ka asnjë kandidate grua për ndonjë nga 16 komunat ku synon të garojë.
Në vitin 2021, nga 81 njësi lokale (80 komuna dhe Qyteti i Shkupit), vetëm dy u drejtuan nga gra – Danella Arsovska në Shkup dhe Zhaklina Jovanovska në Staro Nagoriçane.
Edhe pse partitë premtojnë barazi gjinore, zgjedhjet lokale të këtij viti tregojnë se gara për pushtetin vendor mbetet kryesisht një “garë burrash”.







