Mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” do ta marrë Ana Dajko, e cila u rendit e para në listën e mbyllur të qarkut të Tiranës.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve argumentoi se ligji zgjedhor nuk i njeh dorëheqjet nga kandidimi dhe ndaj 12 deklaratat e firmosura nga kandidatët e listës së mbyllur më 11 maj, se nuk dëshirojnë të jenë kandidatë për deputet, nuk kanë vlerë ligjore. KAS arsyetoi se sipas Kodit Zgjedhor, mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës e merr kandidatja që është e para në listë, Ana Dajko, e cila i përket partisë “Shqipëria Bëhet”.
“Akti i dorëheqjes nga kandidimi i bërë ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur, është një akt nul. I pavlefshëm dhe nuk mund të merret në konsideratë. Edhe subjekti nuk mund të pretendojë që KQZ të miratojë një akt që është nul. Heqja dorë nga kandidimi nënkupton në vetvete prishjen e listës së kandidimit të atij subjekti, që pasojë ligjore ka ndalimin e konkurrimit të atij subjekti në zgjedhje. Çka në këtë moment që është zgjedhur të bëhet si strategji politike, është i pamundur si proces”, Elvis Çefa Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, të cilët garuan në një koalicion më 11 maj, vendosën të sfidojnë sistemin zgjedhor duke premtuar se në Parlament do të shkonte ai që do të merrte më shumë vota nga qytetarët. Për të bërë realitet këtë, ata vendosën në listën e mbyllur të deputetëve familjarët e tyre, ndërsa vetë garuan në listën e hapur. Më 11 maj, me mbylljen e procesit të votimit, koalicioni dorëzoi 12 dorëheqje nga kandidimi të familjarëve të tyre të vendosur në listën e mbyllur.
Por kandidati i renditur i nënti, daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, vendosi të kërkojë mandatin, dhe si kundërpërgjigje, edhe kandidatja e renditur e katërt, kushërira e Adriatik Lapajt, Kleana Xhuveli, kërkoi gjithashtu mandatin. Komisioneri Ilirjan Celibashi vendosi të njohë dorëheqjet nga kandidimi të tre kandidatëve të renditur në listën e mbyllur dhe t’ia japë mandatin e deputetit Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt.
Pas këtij vendimi, Ana Dajko do të jetë deputetja që do të përfaqësojë 64 mijë qytetarët që votuan për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
/vizionplus.tv




