Tragjedi në Messina të Italisë, shembet ndërtesa, një viktimë dhe pesë të zhdukur nën rrënoja

featured

Një ndërtesë trekatëshe është shembur në zonën Pistunina të Messinës, në Siçili. Si pasojë një persona ka humbur jetën, ndëra pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja.

Ekipet e zjarrfikësve kanë gjetur trupin e viktimës  dhe po punojnë për nxjerrjen e tij, pasi ndodhet i bllokuar nën një pllakë betoni.

Viktima është identifikuar si sipërmarrësi Carmelo Leone. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për pesë personat e tjerë të zhdukur: motrat e tij Sara dhe Rosa Leone, bashkëshorti i Rosës, Santino Magazzù, një punëtor me origjinë nga Sri Lanka dhe punonjësja e një bazari kinez, Alessandra Frazzica.

Clelia, vajza e çiftit Magazzù, ka bërë apel në rrjetet sociale që njerëzit të mos telefonojnë prindërit e saj, pasi celularët e tyre po përdoren nga ekipet e shpëtimit për lokalizimin e personave nën rrënoja. Mbajtja e baterisë së telefonave është thelbësore për vijimin e operacioneve të kërkimit.

Zjarrfikësit kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, ndërsa ndërhyrja mbetet jashtëzakonisht e vështirë për shkak të një zjarri të fshehtë që vazhdon nën rrënoja. Nxehtësia e lartë dhe grumbullimi i gazrave paraqesin rrezik për shpërthime gjatë hapjes së hapësirave të reja për kërkim.

Komandanti i zjarrfikësve të Messinës, Michele Burgio, tha se deri tani nuk ka të dhëna për persona të tjerë të zhdukur përtej listës së raportuar. Ai bëri të ditur se ekipet speciale, të ndihmuara nga qentë e kërkimit, po vijojnë punën për të gjetur të mbijetuar.

Shkaqet e shembjes ende mbeten të paqarta. Hetuesit po shqyrtojnë pista të ndryshme, përfshirë një dëmtim të mundshëm strukturor ose një shpërthim. Një shtyllë e dëmtuar e ndërtesës është izoluar dhe do t’i nënshtrohet analizave teknike për të përcaktuar çfarë solli shembjen e objektit.