Një muaj pas formimit të Ekipit të Punës (Task Force) për luftimin e tregtisë së paligjshme me drogë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë arritur rezultate të rëndësishme në luftën kundër narkokriminalitetit të organizuar, informon PressOnline.al
Në aksione të koordinuara në mbarë vendin janë sekuestruar 43,3 kilogramë marihuanë, 693 gramë kokainë, 691 gramë amfetaminë, 141 gramë hashash, 541 tableta ekstazi, 69 tableta LSD, 14 tableta MDMA, 50 gramë kërpudha halucinogjene dhe substanca të tjera narkotike.
Gjatë muajit të kaluar janë paraqitur 21 kallëzime penale kundër 29 personave, janë kryer 131 kontrolle, 935 kontrolle të automjeteve dhe 1.078 kontrolle të personave, ndërsa për arsye të ndryshme të lidhura me tregtinë e drogës janë arrestuar ose privuar nga liria 241 persona, informon PressOnline.al
Ndër aksionet më të rëndësishme është ndërprerja e transportit ndërkombëtar të rreth 25 kilogramëve marihuanë në pikën kufitare “Deve Bair”.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se në Shkup, përveç drogës, gjatë kontrolleve janë sekuestruar para, dy pistoleta dhe gjashtë peshore digjitale, të cilat paraqesin prova të rëndësishme në hetimet.
Në kuadër të aktiviteteve është arrestuar edhe një person 41-vjeçar nga Koçani, për të cilin ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar, pasi më herët ishte arratisur nga një stacion policor.
Ministria njofton se aksionet kundër tregtisë së paligjshme me drogë do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, hetime financiare dhe bashkëpunim ndërkombëtar policor.(PressOnline.al)







