Netanyahu akuzon Mamdani për “nxitje të urrejtjes” pas kërcënimit për arrestimin e tij

featured
Press Online
27 Korrik 2026, 13:12

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se planifikon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë vjeshtë, pavarësisht se kryebashkiaku i qytetit, Zohran Mamdani ka kërcënuar më herët se do ta arrestonte atë, sipas BBC.

Mamdani u tërhoq pjesërisht nga ky kërcënim javën e kaluar, duke pranuar se nuk kishte kompetencë ligjore për të arrestuar Netanyahun, bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), gjykata më e lartë në botë për krimet e luftës.

Udhëheqësi izraelit, i cili do të udhëtojë sot drejt SHBA-së për një vizitë tjetër, tha dje në një intervistë për “Fox News” se nuk ishte i shqetësuar nga kërcënimi i Mamdani dhe e akuzoi kryebashkiakun se po “nxit urrejtje”.

Netanyahu do të takohet nesër me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të senatorit të ndjerë, Lindsey Graham. Nju Jorku nuk është pjesë e agjendës së kësaj vizite.

“Mamdani po nxit urrejtje. Ai supozohet të jetë kryebashkiaku i të gjithë banorëve të Nju Jorkut – hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve, i të gjithëve”, tha Netanyahu.

Netanyahu iu referua edhe dy sulmeve me thikë në Nju Jork të enjten, ku një i dyshuar plagosi një burrë hebre dhe një burrë aziatik, në zona vetëm disa blloqe larg njëra-tjetrës.

Sipas policisë, i dyshuari dyshohet se ka bërtitur shprehjen “Allahu ekber” gjatë sulmeve. Ai është akuzuar për krime të motivuara nga urrejtja ndaj dy viktimave.

Të dy burrat i mbijetuan sulmit, i cili u dënua nga drejtuesit e komuniteteve hebreje dhe aziatike në qytet.

Pas këtyre ngjarjeve, Netanyahu tha se hebrenjtë e Nju Jorkut “kanë frikë tani”.

Mamdani, një mbështetës i fortë i të drejtave të palestinezëve, e ka kundërshtuar operacionin ushtarak izraelit në Gaza, si një nga pikat kryesore të fushatës së tij vitin e kaluar. Në një deklaratë javën e kaluar, ai e quajti Netanyahun “kriminel lufte”.

Gjatë fushatës së tij, Mamdani premtoi se do të zbatonte një urdhërarrest të vitit 2024 të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut, ku kryeministri izraelit akuzohej për krime lufte në Gaza.

Izraeli ka mohuar akuzat se ka kryer krime lufte në Gaza, ndërsa Netanyahu i ka cilësuar ato akuza si “të pavërteta”.

Ushtria izraelite hyri në Gaza, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023. Në atë sulm u vranë rreth 1 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, që sipas OKB-së konsiderohet një burim me të dhëna përgjithësisht të besueshme, më shumë se 73 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, përfshirë mbi 21 mijë fëmijë.

Javën e kaluar, i pyetur nga gazeta “New York Times” lidhur me premtimin e tij për të arrestuar Netanyahun, Mamdani tha se administrata e tij kishte shqyrtuar ligjin dhe kishte arritur në përfundimin se, nuk kishte autoritetin e pavarur ligjor, për të zbatuar këtë urdhërarrest.

Mamdani i bëri thirrje qeverisë federale amerikane të arrestojë kryeministrin izraelit dhe deklaroi se Benjamin Netanyahu nuk ishte i mirëpritur në qytetin e Nju Jorkut.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter