Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio uroi sot popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Në një deklaratë të ndarë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, Rubio shprehet se “mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme”.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përcjell urimet e mia më të përzemërta popullit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të fortë, të ndërtuar mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes popujve tanë”, thuhet në deklaratë.
Rubio vlerëson se partneriteti strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, përfshirë përmes përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.
“Ne vlerësojmë gjithashtu përpjekjet tona të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet në hapësirën kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj për mbrojtjen kibernetike. Në këtë ditë të veçantë, presim me kënaqësi të thellojmë më tej të gjitha fushat e marrëdhënieve tona, në dobi të të dy vendeve”, u shpreh Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.



