Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali ka përcjellë një mesazh krenarie dhe uniteti me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke rikujtuar tri momente të rëndësishme që lidhen me këtë datë në historinë kombëtare shqiptare.
Sali thekson se 28 Nëntori është shumë më tepër se një festë, është simbol i qëndresës, sakrificës dhe përpjekjeve të brezave për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar.
Ai rikujton ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Krujë më 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, si dhe lindjen e komandantit legjendar Adem Jashari më 1955.
Sipas Salit, këto tri momente historike në një datë të vetme përfaqësojnë një histori të përbashkët sakrifice dhe krenarie, që shqiptarët i bashkon kudo që jetojnë.
“Nga Vlora në Prishtinë, nga Shkupi në Preshevë e deri në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarë, sot rrahim me një zemër!”, është mesazhi i tij.
Në fund, Bekim Sali ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, duke përfunduar me thirrjen: “Zoti e bekoftë kombin shqiptar!”



