Autoritetet ligjzbatuese evropiane kanë arrestuar 21 persona pas më shumë se 300 kontrolleve të ushtruara në 12 vende të Evropës, në kuadër të një operacioni kundër krimit të organizuar financiar dhe pastrimit të parave.
Lajmi u bë i ditur të enjten nga Zyra e Policisë Kriminale për landin gjerman të Turingisë, sipas së cilës operacioni u zhvillua të mërkurën, me pjesëmarrjen e policisë, doganave dhe prokurorive të disa vendeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan dokumente të shumta, pajisje për ruajtjen e të dhënave, shuma të konsiderueshme parash, bizhuteri dhe automjete luksoze.
Fokusi kryesor i operacionit ishte landi i Nordrhein-Westfalenit, më i populluari në Gjermani, ku u kryen rreth 100 kontrolle.
Aksione u zhvilluan gjithashtu në Belgjikë, Holandë, Francë, Itali, Estoni dhe disa vende të Evropës Lindore.
Në operacion u angazhuan më shumë se 3 000 efektivë të policisë dhe autoriteteve të tjera ligjzbatuese.
Sipas hetuesve, personat e arrestuar dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale që ka pastruar të paktën 120 milionë euro përmes një skeme mashtrimi financiar.
Për këtë qëllim, dyshohet se janë përdorur të paktën 22 kompani fiktive në Gjermani, të cilat lëshonin fatura për shërbime që nuk ishin kryer asnjëherë.
Të dyshuarit akuzohen gjithashtu për shmangien e detyrimeve tatimore në një vlerë prej të paktën 18.9 milionë eurosh.



