Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) përcolli sot një mesazh urimi për Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, NATO ka vlerësuar Shqipërinë si aleate të saj, duke ftuar shtetet aleate që t’i bashkohen urimeve.
“Bashkohuni me ne për të festuar me aleatin tonë, Shqipërinë, në Ditën e tyre Kombëtare!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Aleanca.
Mesash urimi për Shqipërinë vjen edhe nga Komanda Detare e NATO-s: “Urime dhe përshëndetje aleatëve dhe miqve tanë në Shqipëri që feston Ditën e saj Kombëtare”. “Ne jemi NATO”, thuhet në mesazhin e urimit.

Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e vendit, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe duke i hapur rrugën ngritjes së shtetit modern shqiptar.
Aktit historik të Pavarësisë i paraprinë përpjekje të gjata politike dhe luftarake për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe identitetin kombëtar.
Shpallja e Pavarësisë solli ndryshime të mëdha politike e shoqërore dhe shënoi lindjen e shtetit shqiptar, duke e pozicionuar kombin tonë në radhën e popujve të lirë të Evropës.



