Mediat bullgare raportojnë se para votimit përfundimtar të Raportit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, është hapur një debat i ri rreth përmbajtjes së dokumentit dhe referencave ndaj Protokollit të Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mes Shkupit dhe Sofjes, transmeton Portalb.mk.
Sipas agjencisë bullgare BGNES, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, ka paraqitur një amendament të ri me të cilin kërkohet heqja e një paragrafi që përmend drejtpërdrejt Protokollin e Dytë dhe punën e Komisionit të Përbashkët Historik.
Në qendër të debatit ndodhet paragrafi 73, i cili kërkon që Komisioni Historik mes dy vendeve të prodhojë rezultate të qarta dhe të prekshme, duke u bazuar në dokumente historike të verifikuara dhe në përputhje me Protokollin e Dytë. Paragrafi përfshin edhe referenca ndaj “historisë së përbashkët” të dy popujve. Pikërisht kjo pjesë është objekt i amendamentit të ri të Thomas Weitz, i cili propozon heqjen e saj tërësisht nga raporti përfundimtar.
Në Bullgari, ky veprim interpretohet si përpjekje për të zbutur formulimet që lidhen me detyrimet e Shkupit në kuadër të procesit të integrimit evropian. Komentues dhe politikanë bullgarë argumentojnë se Protokolli i Dytë është pjesë e marrëveshjeve të dakorduara në kuadrin negociues të Bashkimit Evropian dhe se zbatimi i tij mbetet një element i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas raportimeve, amendamenti i ri vjen pasi një propozim i mëhershëm i Weitz, që kërkonte sqarime mbi statusin juridik të Protokollit të Dytë, nuk mori mbështetjen e nevojshme në Komisionin për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian.
Mediat në Sofje theksojnë se eurodeputetët bullgarë pritet të intensifikojnë kontaktet me grupet politike evropiane përpara se raporti të dalë për votim në seancën plenare. Sipas tyre, qëllimi është ruajtja e formulimeve që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe me punën e Komisionit Historik.
Debati rreth raportit pritet të vazhdojë deri në votimin përfundimtar në Parlamentin Evropian, ku amendamentet e propozuara do të vendosin nëse referencat ndaj Protokollit të Dytë do të mbeten pjesë e dokumentit apo do të hiqen nga versioni final.
Debati për Protokollin e dytë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është rikthyer në qendër të vëmendjes në Maqedoni pas intervistës së presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në emisionin “360 Gradë”, ku ajo argumentoi se përfshirja e Komisionit të Përbashkët Historik në Protokoll dhe Kornizën Negociuese paraqet problem serioz për procesin eurointegrues. Megjithatë, gazetari i emisionit, duke iu referuar vetë dokumentit, argumenton se Protokolli nuk përmban formulime detyruese ndaj Komisionit, por vetëm “mbështetje” dhe “inkurajim” për përfundimin e punës së tij. Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi vlerëson se Komisioni është krijuar për të prodhuar rezultate në frymën e Marrëveshjes së vitit 2017, por paralajmëron se puna e tij mund të keqpërdoret nga politika ditore. Kjo ka hapur dilema nëse presidentja dhe VMRO-DPMNE po e interpretojnë dokumentin përtej asaj që shkruan në të, duke krijuar një perceptim më dramatik për rolin dhe pasojat e Komisionit Historik, megjithëse nuk mund të minohet roli i tij i madh në procesin eurointgrues.
Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.







