Rrëshqitja e dheut në autostradë, kërkohet llogari nga shteti për aksidentet vdekjeprurëse

featured
Press Online
15 Qershor 2026, 19:58

Rrëshqitjet e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova” janë bërë  të shpeshta muajve të fundit. E pikërisht në një zonë të tillë, në segmentin e 52, në aksin rrugor Prishtinë Malishevë, një ditë më parë ndodhi një aksident me fatalitet.

Një grua ka humbur jetën si pasojë e një aksident trafiku që ndodhi të dielën në mesditë këtu në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, burri i cili edhe ishte duke vozitur veturën, është duke u trajtuar në QKUK, por shkaktari e shembja e dheut nuk përmenden fare.

“Autostrada Ibrahim Rugova / 14.06.2026 – 12:40. I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin dyshohet se  ka humbur kontrollin, me ç’rast ka shkaktuar aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekje prurëse ka pësuar pasagjerja viktima femër kosovare, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku. Lëndime po ashtu ka pësuar edhe i dyshuari i cili është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa  trupi i pajetë i viktimës  me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.”

Nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit kanë njoftuar se është nënshkruar kontratë për sanimin e rrëshqitjeve të dheut në tri lokacione të ndryshme, në vlerë të mbi 4 milionë eurove.

Megjithëse në njoftimin e ministrisë thuhet se kontrata është nënshkruar të premten, televizioni ka kuptuar se të paktën njëra prej tyre, është nënshkruar vetëm gjatë ditës së sotme.

Ndërmarrjen e masave urgjente për parandalimin e aksidenteve të tilla, e sheh të nevojshme eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini i cili e vlerëson situatën shqetësuese.

“Fatkeqësisht, ditëve të fundit kemi pasur numër të shtuar të aksidenteve në vendin tonë, përfshirë edhe aksidentin e ditës së djeshme që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, gjegjësisht nga një shembje e dheut u shkaktua një aksident me fatalitet edhe kjo është vërtetë e rëndë, vërtetë shqetësuese, për shkak të lëshimit të faktorit njeri me ndodhë një aksident me fatalitet, natyrisht që është e vështirë dhe është e rëndë. Shqetësues është numri i aksidenteve në rritje vazhdimisht, mos respektimi i rregullave të komunikacionit, mos mirëmbajtja e duhur e rrugëve, gjendja jo e mirë teknike e automjeteve, e kështu me radhë, krejt këto janë si faktorët që po na ndodhin neve numër të madh të aksidenteve”, ka thënç Shahini.

Ndërkohë që edhe juristi Anton Nrecaj thotë se institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari.

“Natyrisht duhet të kërkohet llogari dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse në këtë rast nga Ministria e Infrastrukturës në mënyrë që të shohim pse nuk ka reaguar deri më tani nuk është sanuar ajo zonë ku ka pasur shembje të dheut do duhej të bëhej fillimisht do duhej hetuar rasti”, ka thënë Nrecaj.

Dy persona kishin humbur jetën në aksident në dhjetor të vitit të kaluar, në pjesën ku shembja e dheut kishte qëndruar më shumë se 1 vit, në autostradën Ibrahim Rugova.

https://www.youtube.com/watch?v=eZaQupd2TdI

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter