Paralajmërimi i Ali Ahmetit se në pranverë mund të ketë zgjedhje të reja, por se BDI do të nisë përgatitjet që nga vjeshta, nuk u lexua vetëm si thirrje për mobilizim partiak. Në qarqet politike, kjo deklaratë po interpretohet edhe si sinjal se Bashkimi Demokratik për Integrim mund të hyjë në një fazë të re transformimi të brendshëm, me qëllim që të paraqitet si parti e reformuar para zgjedhjeve të ardhshme, shkruan PressOnline.al.
Ahmeti, i cili për 24 vite është lideri i vetëm i BDI-së, gjatë paraqitjes së tij në Kumanovë paralajmëroi se nuk do të qëndrojë përgjithmonë në krye të partisë. Ai tha se dëshiron t’u bashkohet radhëve të veteranëve dhe ta vazhdojë betejën politike nga një pozitë tjetër. Kjo deklaratë, edhe pse nuk u shoqërua me datë konkrete të tërheqjes, menjëherë hapi dilema për të ardhmen e partisë dhe për emrin që mund ta trashëgojë kreun e integristëve.
Nëse BDI në zgjedhjet e ardhshme del sërish forca e parë politike në kampin shqiptar, sfida e saj kryesore nuk do të jetë vetëm rezultati zgjedhor, por edhe mundësia për t’u rikthyer në Qeveri. Pas largimit nga pushteti dhe pas kritikave të shumta për konsumim politik, një rikthim eventual i BDI-së në ekzekutiv vështirë se mund të ndodhë pa një imazh të ri politik, pa ndryshime kadrovike dhe pa një narrativë të qartë reformuese.
Pikërisht këtu lidhet edhe paralajmërimi i Ahmetit për të kaluar te “veteranët”. Një tërheqje e tij nga funksioni i kryetarit mund të shërbejë si mesazh se BDI po hyn në fazë të re, se po hap hapësirë për gjenerata dhe figura të tjera, por edhe se është e gatshme të ndryshojë për t’u bërë sërish faktor i pranueshëm në kombinimet qeveritare.
Sipas asaj që flitet në “çarshinë” politike, një nga emrat që përmendet në këtë skenar është Fatmir Limani, nipi i Ali Ahmetit. Në këto spekulime, Limani përmendet si figurë që mund të paraqitet si kompromis për një BDI të reformuar, ndërsa në prapavijë përmendet edhe ideja se kryeministri Hristijan Mickoski, për ta arsyetuar para elektoratit maqedonas një bashkëpunim eventual me BDI-në, do të kishte nevojë për një parti me fytyrë të re dhe jo me të njëjtën strukturë që për vite ka qenë në pushtet. Zyrtarisht, megjithatë, një skenar i tillë nuk është konfirmuar nga asnjëra palë.
Nëse këto zëra do të marrin formë konkrete, Fatmir Limani do të hynte në një terren të ndjeshëm politik. Nga njëra anë, lidhja familjare me Ahmetin mund t’i japë peshë simbolike brenda strukturave të BDI-së, por nga ana tjetër, pikërisht kjo lidhje mund të hapë debat nëse bëhet fjalë për reformë reale apo vetëm për vazhdimësi të kontrolluar të partisë me fytyrë tjetër.
BDI tashmë ka bërë ndryshime në disa struktura lokale, ku janë zëvendësuar një pjesë e madhe e kuadrove drejtuese. Këto lëvizje mund të lexohen si përgatitje për zgjedhjet e ardhshme, por edhe si test për pranueshmërinë e një tranzicioni më të madh në nivel qendror. Nëse Ahmeti vendos të largohet nga funksioni i kryetarit, partia për herë të parë që nga themelimi do të përballet me pyetjen më të rëndësishme politike: kush mund ta mbajë të bashkuar BDI-në pas Ali Ahmetit?
Prandaj, paralajmërimi për tërheqje nuk duhet parë vetëm si deklaratë personale e Ahmetit. Ai mund të jetë fillimi i një procesi më të gjerë politik, në të cilin BDI do të tentojë ta ripaketojë veten si parti e reformuar, e gatshme për zgjedhje dhe potencialisht e pranueshme për një rikthim në Qeveri.
Në këtë skenar, emri i Fatmir Limanit mbetet një nga dilemat më interesante të periudhës që vjen. A do të jetë ai vetëm pjesë e spekulimeve politike apo realisht një nga figurat që mund ta trashëgojë Ahmetin, kjo do të varet nga vendimet brenda BDI-së, nga raportet me partnerët e mundshëm qeveritarë dhe nga mënyra se si partia do ta menaxhojë tranzicionin më të madh në historinë e saj. (PressOnline.al)







