Shkup, 12 qershor – Vendimi i Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për ndarjen e 17.916.560 denarëve për shoqata dhe fondacione ka hapur një nga debatet më të forta të viteve të fundit për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, me akuza të drejtpërdrejta për pabarazi të thellë etnike, përjashtim selektiv dhe mungesë transparence në procesin e vendimmarrjes, shkruan PressOnline.al
Sipas dokumentit zyrtar të publikuar në “Gazetën Zyrtare”, fondet janë ndarë për 36 projekte të organizatave të shoqërisë civile në kuadër të programit për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike. Megjithatë, mënyra e shpërndarjes ka ngritur dyshime serioze për balancën etnike dhe kriteret reale të përzgjedhjes.
SHQIPTARËT TË KUFIZUAR, TURQIT TË PËRJASHTUAR, SERBËT MË TË PËRFAQËSUAR
Nga lista zyrtare e përfituesve rezulton: 4 projekte u janë ndarë organizatave shqiptare, 5 projekte u janë ndarë organizatave të komunitetit serb, 0 projekte nuk janë ndarë për organizatat e komunitetit turk. Në mesin e organizatave shqiptare përfituese figurojnë Instituti për Demokraci dhe Zhvillim “Puls i Demokracisë” nga Kumanova, Organizata “Aleanca Rinore” nga Tetova, Shoqata “Reset Hub” nga Dibra dhe Shoqata “Iliria” nga Kumanova.
Ky raport i shpërndarjes, sipas burimeve politike dhe shoqërisë civile të PressOnline.al, krijon një diskrepancë të dukshme mes peshës demografike të komuniteteve dhe përfaqësimit të tyre në financim publik, duke ngritur pyetje për standardet e vlerësimit.
AKUZA PËR DISKRIMINIM SISTEMATIK NDAJ SHQIPTARËVE
Në qendër të kritikave është vendosur edhe përfaqësimi i organizatave shqiptare, i cili konsiderohet i kufizuar në raport me rolin e tyre në shoqëri.
Zëra kritikë pretendojnë se kjo skemë financimi reflekton një model të pabalancuar shpërndarjeje, ku komunitetet nuk trajtohen në mënyrë proporcionale, por sipas një logjike selektive që mbetet e paqartë për publikun. Sipas këtyre vlerësimeve, fakti që shqiptarët kanë vetëm katër projekte të financuara, ndërkohë që komunitete të tjera përfitojnë më shumë ose në mënyrë më të qëndrueshme, forcon dyshimet për trajtim të diferencuar në praktikë, edhe nëse jo të deklaruar zyrtarisht.
KOMUNITETI TURK PA ASNJË PROJEKT
Elementi më i kontestuar i vendimit mbetet mungesa totale e financimit për organizatat e komunitetit turk.
Sipas analizave të para dhe reagimeve politike, fakti që një komunitet aktiv në fusha kulturore, arsimore dhe civile nuk ka përfituar asnjë projekt, ngre dyshime për përjashtim institucional të një komuniteti të tërë nga skema e mbështetjes publike.
THP: DYSHIME PËR SHKELJE TË PARIMIT TË BARAZISË DHE NDIKIM NË VENDIMMARRJE
Partia për Lëvizjen e Turqve (THP) ka reaguar ashpër, duke e cilësuar procesin si të papranueshëm dhe të dyshimtë nga pikëpamja institucionale.
Sipas THP-së, mungesa e plotë e projekteve të komunitetit turk nuk mund të justifikohet vetëm me vlerësim teknik, duke kërkuar verifikim të plotë të procedurës së përzgjedhjes dhe të gjithë dokumentacionit mbështetës.
THP ka dorëzuar ankesa zyrtare në dy institucione kyçe: Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD).
Në ankesën drejtuar KShPK-së kërkohet: hetim i plotë i procesit të ndarjes së fondeve, verifikim i kritereve reale të vlerësimit, identifikim i mundshëm i konfliktit të interesit dhe ndikimit në vendimmarrje.
Ndërsa KPMD është kërkuar të shqyrtojë: nëse ekziston diskriminim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi baza etnike, nëse organizatat e komunitetit turk janë vendosur në pozitë të pabarabartë në mënyrë sistematike.
Një nga çështjet kryesore të ngritura është mungesa e transparencës mbi kriteret e vlerësimit, pikët e projekteve dhe arsyetimet e përzgjedhjes.
Pa këto të dhëna, sipas kritikëve, procesi i financimit mbetet i pa-verifikueshëm nga publiku dhe hap hapësirë për interpretime mbi ndikim politik, etnik apo institucional në shpërndarjen e fondeve.(PressOnline.al)







