George Clooney zgjedh Bond-in e ri? Aktori zbulon favoritit e tij për rolin legjendar 007!

featured
Press Online
11 Qershor 2026, 18:08

Gara për të gjetur James Bond-in e ri po bëhet gjithnjë e më interesante dhe tani debatit i është bashkuar edhe George Clooney.

Që pas largimit të Daniel Craig nga roli i agjentit 007 me filmin No Time to Die në vitin 2021, fansat e sagës kanë pritur me padurim të mësojnë se kush do të jetë pasuesi i tij.

Pritja është zgjatur edhe më shumë pas kalimit të kontrollit të ekskluzivitetit te Amazon MGM Studios, ndërsa spekulimet rreth emrit të ardhshëm të Bond-it janë intensifikuar muajt e fundit.

Mes kandidatëve që përmenden më shpesh janë Aaron Taylor-Johnson, Harris Dickinson dhe Jacob Elordi. Megjithatë, Clooney ka një emër tjetër në mendje.

Aktori fitues i çmimit Oscar ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Callum Turner, me të cilin ka bashkëpunuar në filmin The Boys in the Boat.

Shpresoj që Callum të bëhet Bond-i i ardhshëm. Mendoj se ai do të ishte një Bond i shkëlqyer

-deklaroi Clooney për The Hollywood Reporter.

Sipas tij, Turner i plotëson të gjitha kriteret që kërkohen për personazhin ikonik.

Ai është i gjatë, i pashëm, simpatik dhe britanik. Pra, është personi i duhur për këtë rol

-u shpreh aktori.

Clooney vlerësoi gjithashtu mënyrën se si 36-vjeçari ka ndërtuar karrierën e tij në Hollywood, duke zgjedhur projekte që i kanë dhënë identitet artistik dhe jo vetëm sukses të shpejtë.

Ai nuk ka zgjedhur vetëm projekte për para të shpejta, por ka bërë punë shumë interesante. Në një farë mënyre, Callum ka kaluar mes gjithë zhurmës dhe ka krijuar një vend ku njerëzit thonë: ‘Ka diçka te ky djalë’

-tha Clooney.

Ndërsa producentët ende nuk kanë bërë një njoftim zyrtar për pasuesin e Daniel Craig, mbështetja e një emri të madh si George Clooney vetëm sa do të shtojë edhe më shumë zërat se Callum Turner mund të jetë kandidati ideal për të marrë në dorë rolin më të famshëm të spiunazhit në kinematografi.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter