A po paralajmërohet shkarkimi i ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, pasi ai u përplas me bashkëpartiakun dhe liderin e Besës, Bilall Kasami? Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e lavdëron më Limanin si më parë dhe krijohet përshtypja se lë hapësirë që ai të shkarkohet gjatë rikonstruimit të Qeverisë, i cili është paralajmëruar për në maj ose qershor, shkruan PressOnline.al
Limani së fundmi shkaktoi një valë reagimesh pasi në një iftar, me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama, ishte në shoqëri me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Komentet në publik ishin se nëse Mickoski nuk e shkarkon Limanin gjatë rikonstruimit, rrezikon që në Qeveri të ketë “një ministër të BDI-së”. Nga ana tjetër, Kasami i bëri thirrje Limanit të sqarojë arsyen e këtij takimi.
Më herët, Mickoski, në përplasjen brenda partisë mes Kasamit dhe Limanit, kishte dalë në mbrojtje të ministrit, duke e vlerësuar si “vlerë e shtuar” në Qeveri.
Kryeministri, siç deklaroi, për momentin nuk planifikon zgjerimin e përbërjes së Qeverisë me përfaqësues nga Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela, pasi kjo fraksion partiak u largua nga koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga Ahmeti, pavarësisht spekulimeve për hyrjen e saj në pushtet.
– Kemi marrëveshje parimore si partnerë të koalicionit në Qeveri, marrëveshje mes tre strukturave politike – koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni Vlen dhe partia ZNAM. Kemi paralajmëruar se diku në maj ose qershor do të kemi rikonstruim të Qeverisë dhe, natyrisht, shumë çështje para dhe gjatë rikonstruimit do të hapen për diskutim – deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Limani do të shkarkohet, siç kishte paralajmëruar më parë Kasami.
Kasami së fundmi deklaroi se po përgatitet një shkarkim i mundshëm i Limanit, duke theksuar se nuk është i kënaqur me punën e tij në ekzekutiv. Përplasja mes tyre kulmoi pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, kur Limani, si kandidat për kryetar komune në Kërçovë, humbi garën.
Në atë kohë, Mickoski kishte thënë se nuk ka informacione për shkarkim dhe se është i kënaqur me punën e Limanit, duke theksuar se ai është vlerë e shtuar në Ministrinë e Politikës Sociale. Ai gjithashtu i kujtoi partnerit të koalicionit se kush është kryeministër.
– Unë jam mandatar i Qeverisë dhe unë e përbëj Qeverinë, nëse dikush e ka harruar këtë, ta rikujtoj – ishte shprehur Mickoski, përcjell PressOnline.al
Mbetet e hapur edhe çështja nëse rikonstruimi do ta përfshijë edhe zëvendëskryeministrin Arben Fetai, i cili gjithashtu është përplasur me partnerët nga Vlen, pasi për të është i papranueshëm propozimi që kjo strukturë të ketë dy bashkëkryetarë – Kasamin dhe Izet Mexhiti. Ai propozon model të rotacionit në udhëheqje.
Mickoski hodhi poshtë edhe informacionet se Aleanca për Shqiptarët e Selës do të bëhet pjesë e Qeverisë.
– Si koalicion kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe nuk shohim hapësirë për marrëveshje apo negociata me subjekte të tjera politike. Do ta përsëris, imazhi ruhet gjithë jetën, ndërsa humbet vetëm një herë – deklaroi Mickoski.
Në prag të rikonstruimit të Qeverisë, pritet që “Vlen” të transformohet në parti politike, ndërsa mbetet të shihet nëse Mickoski do të vendosë të shkarkojë Limanin dhe Fetain.(PressOnline.al)



