Analisti politik Ramazan Ramadani, në emisionin “Vo Centar”, komentoi ndryshimet e fundit në strukturat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke i analizuar veçanërisht tre figurat kryesore të BDI-së, Izet Mexhiti, Artan Grubi dhe Bujar Osmani, përcjell PressOnline.al
Sipas Ramadanit, Izet Mexhiti ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme politike, duke sfiduar strukturat e vjetra të partisë dhe duke fituar mbështetje direkte nga elektorati shqiptar.
“Në zgjedhjet e fundit, Mexhiti i ka dhënë një goditje të madhe strukturave tradicionale të BDI-së dhe ka treguar se ka peshë reale në vendimmarrje”, tha Ramadani, përcjell PressOnline.al
Artan Grubi, nga ana tjetër, sipas Ramazanit, ka humbur terren brenda partisë, pavarësisht ndikimit që ka pasur më parë. Proceset e fundit, tha ai, kanë treguar se Grubi nuk është më faktor vendimtar në strukturat e larta të BDI-së.
Ndërkohë, Bujar Osmani shihet si një figurë që ka konsoliduar pozicionin e tij përmes angazhimit dhe aftësive për të menaxhuar funksione të larta shtetërore. Ramadani thekson se Osmani ka arritur të bëhet një alternativë serioze ndaj modeleve të vjetra politike, duke fituar respekt edhe jashtë kornizës së partisë.
Analisti nënvizon se ndryshimet në drejtimin politik dhe koalicionet e reja kanë ndryshuar balancën e fuqisë brenda BDI-së dhe kanë treguar një orientim të qartë të elektoratit shqiptar drejt figurave të reja që ofrojnë ndryshim real.(PressOnline.al)



