Çfarë bombe! Gucci ia doli të jetë në kohë për një nga ngjarjet më të shumëpritura të Javës së Modës në Milano e që çelet sot. Koleksioni debutues për shtëpinë e famshme të modës, i projektuar nga drejtori i ri krijues Demna Gvasalia përkoi me fillimin e një epoke të re: të guximshme, seksi, të tepruar e provokues. Çka u ofrua ishte fryt i kreativitetit dhe punës së palodhur të stilistit gjeorgjian, duke eksploruar çdo nuancë të “Gucciness”, me një vizion dhe gjuhë estetike të përbashkët.
Nisi që me zgjedhjen e emrit, “Familja”
I konceptuar si një pemë gjenealogjike ideale, koleksioni u shpalos si një yjësi personazhesh eklektikë, aspekte të çuditshme të shpirtit shumëplanësh dhe në zhvillim e sipër të shtëpisë fiorentine. Ekziston Zonjusha Aperitivo dhe Kontesha, Zonja e Influenceri, Narcisisti dhe Snobi, Djali i Derës Fqinje dhe Djali i Mirë, Drejtori dhe Vajza e Keqe e shumë të tjerë.
Eshtë arti i “shkujdesjes”, një elegancë e rastësishme që kap mënyrën italiane të jetesës. Një kërcim në të ardhmen që rrjedh përmes të kaluarës, themeli estetik mbi të cilin do të mbështetet vizioni i stilistit për Gucci-n, si dhe një parathënie për sfilatën e tij të parë të modës, që do të zhvillohet në shkurt të vitit 2026.
Çanta Gucci Bamboo 1947, një ikonë me një tërheqje të përjetshme e inovative, si dhe mokasina emblematike Horsebit, e prezantuar nga shtëpia e modës në vitin 1953, eksplorojnë vëllime dhe përmasa të reja, ndërsa një riinterpretim i motivit të famshëm Flora, plotëson variantin e tij më klasik, të përjetshëm.
Monogrami GG dominon çdo detaj:
Inicialet e Guccio Gucci-t vishen në të gjitha pamjet në tërësi, nga syzet e diellit te mokasinat (të gjitha ose asgjë). Siluetat alternojnë në një lojë të kundërtash: nga luksi maksimalist i bizhuterive të arta e palltove të gjata të zbukuruara me pupla, te sensualiteti neo-minimalist i kostumeve të trupit pa qepje. Të veshësh bëhet një akt kënaqësie i pastër dhe shkëlqimi mbush gardërobën e meshkujve, duke përvijuar një ide bashkëkohore të la dolce vita-s, aty ku eleganca e veshjeve të mbrëmjes përkthehet në komplete kostumesh trupi me rroba banje transparente e të sofistikuara.







