Kush do ta kishte menduar? Përparësja e gjyshes është në krye të trendeve të pranverës/verës së ardhshme. Ose të paktën, kjo është ajo që rezulton nga fundi i këtij raundi sfilatash mode, që filluan në Nju Jork e përfunduan në Paris, pa harruar Milanon.
Java Franceze e Modës paraqiti në pasarelë edhe simbolin e punëve më të përditëshme: ato të shtëpisë, shpesh të patreguara e të shumta, por me një vlerë të thellë sentimentale, ndoshta të pakrahasueshme.
Pse përparësja e kuzhinës u shfaq në sfilata?
Ideja gjeniale erdhi nga Miuccia Prada. Si gjithnjë, edhe këtë herë me Miu Miu-n, ajo frymëzoi një moment reflektimi kolektiv duke i bërë veshjet e punës, protagonistët e shfaqjes. Ashtu si në të kaluarën me kominoshe e uniforma, sërish ia doli me koleksionin pranverë/verë 2026 të Pradës.
Revolucioni i përparëses
Një simbol i mundit të grave, në dukje i përulur, një uniformë e përditshme. Miu Miu ka rishkruar një simbol të gjendjes femërore, duke e transformuar atë në një mjet vetëvendosjeje për t’u shfaqur me krenari, duke e çuar përtej kufijve të shtëpive, fabrikave e punishteve, ku historikisht ka qenë e lënë pas dore. Nga e padukshme në të dukshme, bëhet e gjallë dhe e gjithanshme, e kombinueshme lehtësisht dhe për këtë arsye mbahet në jetën e përditshme.







