Debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që i paraprin seancës plenare të orës 13:00 në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Gazment Bardhi kërkoi thirrjen e Këshillit të Legjislacionit lidhur me kërkesën e opozitës për shkarkimin e drejtuesit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Sipas Bardhit, thirrja e Këshillit është detyrim që duhet respektuar, si edhe përsëriti kërkesën për ripërsëritjen e Këshillit të Legjislacionit. Po ashtu, drejtuesi i grupit u shpreh se në mbledhjen e Këshillit duhej përfshirë dhe kërkesa e Partisë Demokratike për mocion me debat mbi programin qeverisës.
Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores. Ju duhet ta përfshini atë kërkesë. Kemi dorëzuar një kërkesë për Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Në bazë të rregullores do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Sot skadon dita e tretë e afatit, siç e parashikon rregullorja. Dhe deri tani ne nuk kemi njoftim për mbledhje tjetër, vuri në dukje Gazment Bardhi.




