Qeveria në detyrë ka zhvilluar këtë të martë një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime me fokus mbështetjen e mërgatës, promovimin ndërkombëtar të vendit dhe avancimin e proceseve institucionale.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ekzekutivi ka ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, njofton Dukagjini.
Po ashtu bëhet e ditur se këto mjete do të përdoren për mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë destinacionet e frekuentuara nga mërgata.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar ndarjen e mjeteve buxhetore për disa iniciativa që synojnë përfaqësimin dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare:
- 8 mijë euro për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik në Shangai të Kinës;
- 70,876.79 euro për subjektin “Kosova Global Talent Center”, për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të mbahet gjatë muajit korrik në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
- 3,500 euro për Shoqatën e Kimistëve të Kosovës, për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e planifikuar të mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka aprovuar gjithashtu edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.




