Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kandidaturën e Bajram Rexhepit nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Tetovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Snopçe rikujtoi vitet e studimeve në Shkup me Rexhepin, ku ndanin diskutime mbi shkencën, matematikën, informatiken dhe filozofinë, por edhe revoltën e asaj kohe ndaj mospërfilljes së shqiptarëve në sistem, përcjell PressOnline.al
“Që atëherë nuhatnim se sistemi me majorizim nuk funksionon, se duhet të gjendet mekanizëm ku shqiptarët nuk do të mbivotohen, siç ndodhi edhe me kushtetutën e atëhershme – gjeneratore e krizës dhe konfliktit të vitit 2001”, shkroi Snopçe.
Ai theksoi se bashkë me Rexhepin, edhe pse kanë vepruar politikisht në drejtime të ndryshme, sot ndajnë një qëndrim të përbashkët kundër tendencave të qeverisë së Hristijan Mickoskit, për të rikthyer vendin para Marrëveshjes së Ohrit.
“I kemi bashkuar forcat në kuadër të Aleancës Kombëtare për Integrim për t’i treguar Mickoskit dhe të tjerëve se shqiptarët nuk do të lejojnë realizimin e planeve të tilla dashakeqe. Për ne, primare është mbrojtja e dinjitetit, krenarisë dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve”, u shpreh Snopçe.
Ai përfundoi duke e quajtur Bajram Rexhepin jo vetëm partner koalicioni, por edhe “shok të idealeve studentore”, duke i dhënë mbështetje të plotë kandidaturës së tij për Tetovën. (PressOnline.al)







