Megjithëse kryeministri Hristijan Mickoski ka premtuar një luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit, deri tani në këtë drejtim nuk ka rezultate konkrete. Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë së kaluar, kanë ngecur, ndërsa shumë nga të akuzuarit vazhdojnë të jenë në arrati, shkruan PressOnline.al.
Ndër personat në arrati është Vasko Kovaçevski, ish-drejtori i REK Manastir dhe më pas i EMV-së, institucione kyçe në sektorin e energjetikës. Ai akuzohet për shkelje të detyrës, ndërsa gjyqi për rastin më të njohur, të quajtur “Aditiv”, do të zhvillohet në mungesë të tij.
Përveç Kovaçevskit, akuzohen edhe drejtorë të tjerë në suaza të EMV—së, të cilët dyshohet se, gjatë periudhës prill 2023 – gusht 2024, kanë manipuluar me tenderët për furnizim me aditivë për qymyr, duke sjellë fitime të paligjshme prej 6,4 milionë eurosh për firmën “Braincode”.
Nga ana tjetër, kompanitë që VMRO-DPMNE më parë i akuzonte për lidhje me krimin, si “Markoski” dhe “Stenton Gradba”, vazhdojnë të marrin tendera nga institucionet shtetërore. Vetëm gjatë katër muajve të fundit të vitit të kaluar, kompania “Markoski” mori kontrata në vlerë prej 2,5 milionë eurosh, ndërsa “Stenton Gradba” mori një tender prej 2,3 milionë eurosh nga Ministria e Transportit.
Edhe për rastin e biznesmenit nga Strumica, Risto Krmzov, i lidhur sipas akuzave me familjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev, nuk ka rezultate konkrete. Hetimi përfshin 23 persona dhe 15 kompani, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin me mbi 90 milionë euro dhe kanë përfituar padrejtësisht 37 milionë euro nga kthimi i TVSH-së.
Kryeministri Mickoski ka akuzuar gjithashtu se Kovaçevski kërkoi ryshfet prej 250 mijë eurosh nga firma “Rubiton”. Ai fajëson Prokurorinë, drejtuar nga Ljupço Kocevski, për mungesë rezultatesh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Edhe pse Kuvendi miratoi më 29 korrik interpelancën për Kocevskin, ai do të vazhdojë të drejtojë Prokurorinë deri pas zgjedhjeve, duke lënë hetimet të ngecura.
Situata aktuale tregon se premtimet për luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit mbeten të pazbatuara. Ndërkohë, kompani dhe individë të përfshirë në skema të dyshuara vazhdojnë të përfitojnë tendera milionësh, duke krijuar një hendek të madh mes fjalëve të qeverisë dhe rezultateve konkrete. (PressOnline.al)



