Debati rreth Whitney Houston është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi ish-truproja i saj ka kundërshtuar publikisht pretendimet e Oprah Winfrey lidhur me një incident të ndodhur gjatë paraqitjes së këngëtares në emisionin e saj.

Gjithçka nisi pasi Oprah Winfrey zbuloi gjatë një eventi në Cannes Lions se Whitney Houston kishte rënë nga skena gjatë një paraqitjeje në vitin 2009 dhe se, sipas saj, këngëtarja ishte rikthyer në përdorimin e drogës në atë periudhë. Ajo tregoi se i kishte lutur audiencës të mos publikonte fotografi apo pamje të incidentit, duke thënë se një gjë e tillë do t’i kishte shkatërruar jetën artistes.

Megjithatë, njerëzit më të afërt të Whitney Houston kanë reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave. Ish-truproja i këngëtares, i cili ishte pranë saj në atë periudhë, ka mbështetur versionin e familjes së artistes, duke këmbëngulur se Whitney nuk ishte nën ndikimin e drogës.

Edhe Pat Houston, kunata e këngëtares dhe menaxherja e pasurisë së saj, ka mohuar kategorikisht pretendimet e Oprah. Sipas saj, Whitney vërtet kishte rënë, por incidenti ndodhi gjatë provave të zërit, për shkak të errësirës në skenë dhe mungesës së njohjes me ambientin. Ajo theksoi se artistja “absolutisht nuk ishte nën ndikimin e drogës”.
Në deklaratën e familjes thuhet se është “e padrejtë dhe e pasaktë” që çdo moment i jetës së Whitney Houston të lidhet automatikisht me problemet e saj të dikurshme me varësinë. Sipas tyre, ajo atë ditë ishte një profesioniste e përkushtuar dhe publiku pa një artiste që kishte punuar fort për performancën e saj.

Kontroversa është bërë edhe më e madhe pasi disa media amerikane kanë rikujtuar se vetë Oprah, vite më parë, kishte deklaruar se rënia e Whitney nuk kishte lidhje me drogën, gjë që ka ngritur pikëpyetje për ndryshimin e versionit të saj.
Whitney Houston ndërroi jetë në vitin 2012 në moshën 48-vjeçare. Këngëtarja kishte folur publikisht për betejat e saj me varësinë, por familja e saj këmbëngul se jo çdo episod i jetës së saj duhet të interpretohet përmes kësaj lenteje.







