Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi në Kuvend se me rebalancin e buxhetit kapitalet investuese janë rritur nga 39 miliardë denarë në 47 miliardë denarë, si rezultat i, siç tha ai, realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore në vend.
Ai theksoi se rritja e deficitit buxhetor nga 3.5% në 4.1% vjen pikërisht për shkak të rritjes së investimeve kapitale dhe jo për rritje të shpenzimeve sociale apo pagave.
“Ne sot e rrisim deficitin jo për subvencione apo transfere sociale, por për investime kapitale. Kjo është arsyeja e vërtetë e rritjes së tij”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, projektet përfshijnë autostrada, impiante për trajtimin e ujërave të zeza dhe investime komunale, për të cilat janë siguruar mjete shtesë në disa sektorë.
Mickoski shtoi se qeveria po punon me kapacitet të plotë në menaxhimin e projekteve dhe se vendi po hyn në një fazë të re të zhvillimit infrastrukturor.
Ai paralajmëroi gjithashtu për afate konkrete në realizimin e disa projekteve rrugore, duke përfshirë segmentet Kërçovë–Ohër, Prilep–Bitola dhe TETOVË–Gostivar–Bukojçan, si dhe fillimin e punimeve për aksin Bllacë–Shkup.
Sipas tij, për herë të parë pas shumë dekadash, një kompani vendore do të ndërtojë pjesë të autostradës në vend, gjë që e cilësoi si zhvillim të rëndësishëm për sektorin ndërtimor.







