Çdo pengesë që na vendosin në rrugën tonë, vetëm na motivon më shumë dhe na jep më shumë energji. Ashtu siç vepruan me boshllëkun ligjor tani, ne jemi shumë më të koordinuar mes vete; ata krijuan një sinergji mes kandidatëve të pavarur nga e gjithë Maqedonia, vlerëson Elmedina Abdullahi nga nisma “Për një Tetovë më të mirë”, në debatin e mbrëmjes së sotme në emisionin “Win-Win” në TV Tellma, përcjell PressOnline.al
“Qëllimi i tyre është të na pengojnë, të na dobësojnë në periudhën kur po vrapojmë një maratonë. Por, përkundrazi, arritëm ta kanalizojmë të gjithë energjinë dhe të dalim së bashku edhe më të organizuar. Është krejt tjetër kur ke komunikim me njerëz në të cilët ke besim, që janë ndryshe nga të tjerët – natyrisht, nga partitë politike – dhe veprimi i përbashkët është shumë më i fuqishëm”, theksoi Abdullahi.
Ajo dha edhe këndvështrimin e saj për arsyen pse partitë politike nuk i duan të pavarurit dhe pse, sipas saj, përpiqen t’u vënë pengesa.
“Kjo është sepse ne sollëm një kulturë të re. Në fillim vërtet nuk ishim interesantë për ta, nuk na shihnin si kërcënim, sepse e dinin se ishim të vegjël. Sa kohë ishim në rrugë, nuk ishim interesantë dhe në një mënyrë edhe u ndihmonim. Por, kur hymë në institucione dhe kur patëm qasje në informacione që më parë nuk na ishin të disponueshme, atëherë kuptuan se nuk jemi aq naivë sa mendonin dhe se mund të sjellim probleme,” tha Abdullahi.



